Blindohet qendra e Gjilanit, punimet në bulevard sjellin kaos në komunikacion
Gjilan – Punimet për realizimin e projektit të integruar të bulevardit, sheshit të ri dhe parkingut nëntokësor kanë sjellë bllokimin e një pjese të qendrës së Gjilanit, duke shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët për mënyrën e organizimit dhe menaxhimit të trafikut.
Sipas njoftimit të publikuar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, segmenti rrugor nga rrethrrotullimi te Hoteli “Kristal” deri te Teatri i Qytetit është mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe do të mbetet i tillë deri në përfundimin e punimeve.
“Qendra e Gjilanit po transformohet! Për shkak të punimeve për projektin e integruar të Bulevardit, sheshit të ri dhe parkingut nëntokësor, segmenti nga rrethrrotullimi te Hoteli ‘Kristal’ deri te Teatri i Qytetit do të jetë i mbyllur për automjete deri në përfundim të projektit. Ju lutemi të respektoni sinjalizimin e përkohshëm rrugor. Faleminderit për mirëkuptimin”, thuhet në njoftimin e komunës.
Megjithatë, vendosja e barrierave dhe mbyllja e rrugës kryesore kanë ngjallur pakënaqësi te një pjesë e banorëve, të cilët vlerësojnë se organizimi i punimeve dhe komunikimi me publikun kanë qenë të pamjaftueshme.
Skenderi, banor në qendër të qytetit, shprehet se mbyllja e qarkullimit është bërë pa një koordinim të duhur. “Nuk mund të paralizohet qendra e qytetit pa njoftime të mjaftueshme dhe pa një plan të qartë të qarkullimit. Qytetarët po përballen me vështirësi të panevojshme”, tha ai.
Edhe qytetari Naimi shpreh rezervat e tij lidhur me realizimin e projektit, duke vlerësuar se një investim i kësaj përmase kërkon planifikim të detajuar dhe njohje të plotë të infrastrukturës ekzistuese.
Ndërkohë, si pasojë e mbylljes së segmentit kryesor, trafiku në zonën qendrore të Gjilanit është rënduar ndjeshëm, ndërsa drejtuesit e automjeteve po detyrohen të përdorin rrugë alternative.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm dhe të tregojnë mirëkuptim deri në përfundimin e punimeve, të cilat konsiderohen një ndër projektet më të mëdha infrastrukturore në qytet./rajonipress/





