Rama: Marrëdhëniet me SHBA-në kanë arritur pikën më të ulët, Qeveria duhet të japë përgjigje
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me zhvillimet në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën dhe Serbinë, duke ngritur shqetësime për, siç e ka cilësuar ai, “izolimin strategjik” të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Rama ka krahasuar nisjen e Dialogut Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë me pezullimin e Dialogut Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.
“Brenda pak ditësh, Shtetet e Bashkuara artikuluan qartë prioritetet e tyre në raport me Serbinë dhe Kosovën. Me Serbinë nisi Dialogu Strategjik, niveli më i lartë i bashkëpunimit dypalësh”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, në kuadër të këtij dialogu janë përfshirë fusha si energjia, siguria energjetike, investimet në infrastrukturë, rrjeti 5G, mbrojtja, arsimi, shkenca dhe teknologjia.
“Ndërkohë, mesazhi për Kosovën ishte krejt i kundërt! Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se Dialogu Strategjik me Kosovën mbetet i pezulluar”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka përmendur edhe deklaratat e ish-ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili sipas tij ka paralajmëruar për dëmtimin e reputacionit të Kosovës në Uashington.
“Këto janë qëndrime zyrtare të aleatit më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës dhe, si të tilla, janë shumë shqetësuese për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, ka shkruar Rama.
Ai ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës që të japë sqarime për situatën aktuale në marrëdhëniet me SHBA-në.
“Prandaj, Kryeministri i Kosovës ka detyrim t’u japë qytetarëve një përgjigje të qartë”, ka thënë Rama.
Ai ka ngritur pyetje për arsyet që kanë çuar, sipas tij, në përkeqësimin e raporteve me aleatin kryesor të Kosovës.
“Si ka mundësi që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë arritur në pikën ku partneriteti strategjik është i pezulluar, besimi është vënë në pikëpyetje dhe Uashingtoni flet publikisht për kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë?”, ka deklaruar Rama.
Në fund, ai ka theksuar se marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është në një pikë kritike.
“Si ka mundësi që marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara, aleatin tonë më të madh strategjik, ka arritur në pikën më të ulët që kanë njohur ndonjëherë raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së?”, ka shkruar Rama. /Telegrafi/


