Thirrja e trojeve
Në këtë tokë që ne i themi Kosovë, trazirat e dhimbjet nuk kanë fund, një luftë e fituam, tjetra vazhdon ky është dhe fati i lirisë së paplotë
Nuk jam një i dëshiruar i dehjeve
dhe as i ngazllimeve të pa vërteta
pabashkimi i atdheut tonë, dhemb
në çdo cep t´atdheut ku flitet shqip
Miqësia me të huaj është e vështirë
flamuj të huaj i kemi në çdo qoshe
mua s´më pengon prania e tyre, por,
me kaq shumë bujtës, liria sikur nuk
shkon. Kosovë e shqiptarisë, të dua
ky shekull i ri është bashkimi ynë
në Prizren, aty ta bëjmë betimin
Shqipëri e Kosovë, jemi një atdhé
Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Kosovës e n´Preshevë vlon gjak i ri
Atdhe, arti i çlirimit nuk njeh kufij
në të gjitha kohërat e ka emrin, liri!..
HIMNI I LEXIMIT
Dua të di si jetojnë lexuesit tanë
sa janë të vuajtur, dhe të lumtur
si i mbijetojnë dhimbjeve të tyre
heshtjeve tragjike të papunësisë
Të dashuruar të së vërtetës tuaj
njihi përvlimtarët çlirimtar të artit
ata që ty kurrë nuk të gënjyen, që
fletët e mollës të ruajnë aromën
Vëllëzër të leximit! Veten e kam
parë se s´i ecja natën, i kam parë
ata që shkrehnin armët mbi ne
kur krelat vajzave u kullonin gjak
Në bollëkun e madh të poezisë
edhe hëna përdridhet si e dehur
gjallë është lufta e popullit tonë
po mëkatet shumë janë shumëzuar
Muzë e poezisë, vëllëzër lexues
jeni mirë me shëndet, a keni punë
dua ta di si jetojnë lexuesit tanë
dhe a kemi të vdekur duke lexuar?!
Rrustem Geci – Prishtinë, Verë, 2015


