FIDANISHTJA

Hoxhaj alarmon: Kosova po izolohet, Serbia po thellon partneritetin strategjik me SHBA-në

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas nisjes së Dialogut Strategjik ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se Kosova po mbetet gjithnjë e më e izoluar për shkak të qasjes së Qeverisë Kurti në politikën e jashtme.

Sipas Hoxhajt, zhvillimet e fundit tregojnë se “dështimet që po sjellin pasoja serioze për Kosovën nuk janë më lajme të reja”, por janë shndërruar në “një model qeverisjeje”.

“Ndërsa vendi mbahet peng nga politika konfrontuese e Qeverisë Kurti, aleatët tanë strategjikë po thellojnë bashkëpunimin me Serbinë. Kosova ka humbur Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Serbia po e nis të vetin. Ky është një hap prapa me pasoja serioze për interesin tonë shtetëror”, ka deklaruar ai.

Hoxhaj ka paralajmëruar se pasojat nuk do të kufizohen vetëm në fushën e diplomacisë, por do të prekin edhe sektorë të tjerë me rëndësi për vendin.

Uji Dea

“Pasojat e këtyre dështimeve nuk do të mbeten vetëm në diplomaci. Ato do të reflektohen në sigurinë tonë, në zhvillimin ekonomik, në investimet e huaja, në sektorin e energjisë dhe në aftësinë e Kosovës për të avancuar drejt integrimit euroatlantik. Në politikën ndërkombëtare, çdo hap prapa krijon avantazh për dikë tjetër”, ka theksuar ai.

Në fund, Hoxhaj ka bërë thirrje për rivendosjen e marrëdhënieve të ngushta me Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar këtë si prioritet kombëtar.

“Kosova nuk mund ta lejojë luksin e izolimit. Ne jemi shtet që kemi ndërtuar lirinë dhe pavarësinë në partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët tanë perëndimorë. Prandaj, rikthimi i besimit me SHBA-në dhe rivendosja e Dialogut Strategjik duhet të jetë prioritet kombëtar”, ka përfunduar Hoxhaj.