Hovenier: Kosova rrezikon ta humbasë besimin e Uashingtonit nëse nuk vepron
Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj kryesore pa institucione të qëndrueshme, thotë ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai paralajmëron se ngërçi politik po e dëmton pozitën e Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë.
Hovenier thotë se pezullimi i Dialogut Strategjik me Uashingtonin është tashmë një pasojë konkrete për Kosovën.Sipas tij, Prishtina duhet të veprojë më shpejt në çështjet e energjisë dhe të komunitetit serb, nëse synon ta rikthejë marrëdhënien me administratën e presidentit Donald Trump.
Ai thekson se vëmendja e Uashingtonit “nuk është e pafundme”.“Prandaj, mendoj se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por, përkundrazi, të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi”, thotë Hovenier.
Radio Evropa e Lirë: Ambasador Hovenier, Kosova po përballet sërish me vështirësi për të krijuar institucione funksionale. Kush e mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual?
Jeffrey Hovenier: Është e vështirë për mua të them se kush mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual. Ajo që do të theksoja është se sa i dëmshëm është ky ngërç për qytetarët e Kosovës.Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj më të rëndësishme strategjike për aq kohë sa qeveriset nga një qeveri në detyrë ose përballet me kërcënimin e zgjedhjeve të reja.Prandaj, mendoj se ka shumë përgjegjësi për situatën aktuale.Po të isha ende ambasador i SHBA-së në Kosovë, do të bëja gjithçka për t’i inkurajuar të gjithë liderët politikë – qoftë nga Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK apo partitë e tjera – që të gjenin një rrugëdalje, për të mirën e vendit dhe të qytetarëve.Ata duhet të krijojnë një qeveri të re, të zgjedhin presidentin dhe t’u ofrojnë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë një bashkëbisedues të besueshëm dhe legjitim.
Radio Evropa e Lirë: Po thoni se është e nevojshme ndërhyrja ndërkombëtare?
Jeffrey Hovenier: Shpresoj që jo. Kosova është një demokraci e konsoliduar. Kanë kaluar shumë vite që nga shpallja e pavarësisë, por kjo është një provë për klasën politike: a mund t’i lërë mënjanë interesat e ngushta partiake dhe të veprojë në të mirë të qytetarëve të Kosovës? Unë besoj se po.I njoh ende mjaft mirë politikanët e Kosovës dhe besoj se janë të aftë ta bëjnë këtë. Tani është e rëndësishme që ta bëjnë.
“Përgjegjësia duhet të ndahet”
Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni refuzimin ose hezitimin e disa partive opozitare për t’u bërë pjesë e Qeverisë së ardhshme? A mbajnë edhe ato përgjegjësi për krizën, apo përgjegjësia kryesore mbetet mbi fituesen e zgjedhjeve?
Jeffrey Hovenier: Nuk e di nëse dua të hyj në atë se kush, sipas meje, mban përgjegjësinë më të madhe, sepse mendoj se përgjegjësia duhet të ndahet. Por, ajo që dua të theksoj sërish është se Kosova, në këtë moment, po paguan një çmim që nuk do të duhej domosdoshmërisht ta paguante.Të gjithë qytetarët e vendit do të ishin në një pozitë më të mirë nëse politikanët do t’i linin mënjanë disa nga dallimet e tyre të brendshme dhe do të gjenin një rrugë të përbashkët përpara, në të mirë të vendit.
Radio Evropa e Lirë: E dimë se Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje në një vit e gjysmë. A mendoni se problemi është bërë tani strukturor, apo do të zgjidhin ndonjë gjë zgjedhjet e reja nëse ato do të mbaheshin?
Jeffrey Hovenier: Është gjithmonë e vështirë të parashikosh zgjedhjet paraprakisht, por, siç e thatë edhe ju, janë mbajtur tri palë zgjedhje dhe ky proces i pamundësisë për të formuar një qeveri të qëndrueshme ose për të zgjedhur një president, vazhdon.Kjo ndikon negativisht në aftësinë e Kosovës për të avancuar objektivat e saj strategjike, siç janë ripozicionimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, avancimi i aspiratës për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, përfaqësimi i interesave të saj në dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera të rëndësishme, si zhvillimi i ekonomisë.Prandaj, e vetmja gjë që mund të them është se partnerët më të rëndësishëm të Kosovës duan të shohin një bashkëbisedues të besueshëm dhe të qëndrueshëm.Tri zgjedhje brenda 18 muajsh, kërcënimi i zgjedhjeve të tjera dhe pamundësia për të formuar një qeveri nuk e ndihmojnë Kosovën në arritjen e atyre që, sipas meje, duhet të jenë prioritetet e saj më të larta për të mirën e qytetarëve të Kosovës.
“Marrëdhënia me administratën Trump nuk është në nivelin e dëshiruar
”Radio Evropa e Lirë: Cilat mendoni se duhet të jenë prioritetet e Kosovës?
Jeffrey Hovenier: Le të flasim për disa prej tyre. Nuk është sekret se marrëdhënia me administratën [e presidentit amerikan, Donald] Trump nuk është në nivelin e dëshiruar.Treguesi më i qartë për këtë është fakti se Dialogu Strategjik me Serbinë do të nisë më 17 korrik në Uashington dhe ministri i Jashtëm [i Serbisë, Marko] Gjuriq do të jetë atje për t’u takuar me zëvendëssekretarin e Shtetit, [Christopher] Landau.Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë lëvizje për Dialogun Strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës që nga pezullimi i tij në shtator të vitit të kaluar, për shkak të dallimeve lidhur me disa zgjedhje politike të bëra nga kryeministri i atëhershëm në detyrë, Albin Kurti. Kjo është diçka që, sipas meje, Kosova duhet ta adresojë.Mendoj se Kosova dëshiron ta pozicionojë veten si një partnere e fortë e Shteteve të Bashkuara. Këtë e kam dëgjuar nga të gjithë liderët politikë dhe të gjithë e kanë deklaruar publikisht – edhe pasi unë jam larguar nga Kosova.Por, për ta bërë këtë, duhet të kesh një qeveri. Duhet të kesh politika qeveritare. Duhet të kesh komunikim dhe angazhim. Dhe besoj se të gjithë ata që janë aktualisht në qeveri, do të thoshin se po i bëjnë këto gjëra.Megjithatë, situata është ndryshe kur ekziston kërcënimi i zgjedhjeve të tjera, kur nuk është zgjedhur ende presidenti ose kur qeveria vazhdon të jetë në detyrë. Për të ecur përpara duhen politika qeveritare.Një element tjetër është se Qeveria amerikane – kjo administratë amerikane, administrata Trump – ka qenë mjaft e qartë për dëshirën e saj që Kosova të përfshihet në nismat amerikane për energjinë në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht në disa prej kornizave të krijuara për gazin e lëngshëm natyror (LNG).Kjo tani është bërë një çështje politike në Kosovë. E kuptoj këtë. Por, po flas si një vëzhgues i jashtëm. Nuk përfaqësoj më Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të ndërtojë një marrëdhënie më të ngushtë me administratën aktuale amerikane, atëherë – me shumë gjasë – është në interesin e saj të gjejë një mënyrë për t’iu përgjigjur disa prej kërkesave dhe diskutimeve që vijnë nga Uashingtoni.Dialogu Strategjik është një mënyrë për ta bërë këtë, por nuk është e vetmja. Megjithatë, edhe për të duhet të kesh një qeveri funksionale, që të mund të ketë politika për energjinë dhe të marrë vendime përfundimtare. Ky është një grup prioritetesh.Tani le të flasim për prioritetin evropian. Besoj se të gjithë pajtohemi se e ardhmja e Kosovës është në Evropë. Të gjithë presim që një ditë Kosova të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe tashmë ka ardhur koha që ky proces të ecë përpara.Por, si mund ta bësh këtë me Bashkimin Evropian, kur nuk ke një qeveri të konsoliduar dhe vazhdon të funksionosh me institucione në detyrë? Është shumë e vështirë. Si mund të hartosh politika qeveritare për t’iu përgjigjur kërkesave të BE-së, nëse nuk ke një qeveri të plotë? Si mund t’i adresosh fushat që Bashkimi Evropian i identifikon si prioritare në raportet e tij vjetore të progresit?Këto janë prioritetet për të cilat po flas. Dhe, në fund, është dialogu Kosovë-Serbi. Për mirë apo për keq, ai nuk do të zhduket. Bashkimi Evropian e lehtëson dialogun, por ai mbetet mekanizmi për të arritur një lloj pranimi reciprok.Shtetet e Bashkuara, nën administratën Biden dhe të gjitha administratat e mëparshme, kanë besuar se ky proces duhet të përfundojë me njohje reciproke. Por, si mund të ecet përpara në këtë proces dhe si mund të arrihet një gjendje më e mirë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, nëse jo përmes këtij dialogu?
Përshtypja ime është se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka mbetur kryesisht i ngrirë. Jo për shkak të mungesës së dëshirës nga ana e BE-së, por për shkak të veprimeve të Serbisë, ndryshimeve të qeverive dhe zgjedhjeve në Kosovë. Ka pasur shumë pak përparim dhe kjo, sërish, ndikon negativisht te qytetarët e Kosovës.Këto janë prioritetet, por ka edhe një tjetër: rritja dhe zhvillimi ekonomik. Qoftë kur flasim për energjinë, vendet e punës apo investimet, të gjitha janë më të lehta kur ke një qeveri të konsoliduar, për të cilën njerëzit e dinë se do të qëndrojë për një kohë. Një qeveri me politika të qarta që tërheqin investime, që e bëjnë vendin tërheqës për investitorët dhe që u japin siguri atyre që duan të investojnë ose të krijojnë vende pune në Kosovë.Sepse, ata duhet të ndihen të sigurt për stabilitetin e vendit. Në fund të fundit, Kosova është një demokraci e konsoliduar.Tani, nuk po flasim për një situatë si ajo e viteve ’90. Asgjë e ngjashme me atë. Por, njerëzit e biznesit nuk e pëlqejnë pasigurinë.Mjafton të shihni deklaratat e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe atë që ajo kërkon: parashikueshmëri, transparencë dhe mënyra për të ndihmuar në tërheqjen e investimeve dhe për ta çuar përpara rritjen ekonomike.Prandaj, mendoj se këto janë prioritete reale për cilëndo qeveri që do të dalë nga ky proces dhe shpresoj që ajo të jetë në gjendje t’i adresojë ato sa më shpejt.
Radio Evropa e Lirë: Në një intervistë të kohëve të fundit keni thënë se reputacioni i Kosovës në Uashington ka pësuar një “goditje të rëndë”. Me çfarë pasojash konkrete mund të përballet Kosova nëse ky reputacion nuk rikthehet së shpejti?
Jeffrey Hovenier: Siç e thashë, këtë javë nis Dialogu Strategjik me Serbinë, ndërsa, aktualisht, nuk ka një dialog të tillë me Kosovën.Kjo për mua është për keqardhje, edhe një paraqitje jo e saktë e realitetit të rajonit.Kosova duhet të jetë në tryezë me Shtetet e Bashkuara, po aq sa edhe Serbia, dhe ne do të kishim një agjendë ndryshe me Kosovën nga ajo që do të kemi me Serbinë.Me Serbinë do të flasim për investimet ruse dhe energjinë ruse. Shpresoj se do të flasim edhe për disa elemente të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Shpresoj se do të flasim pak edhe për Kosovën dhe për kërcënimet e bëra, përfshirë ato nga një ministre së fundmi, të cilat janë krejtësisht në kundërshtim me mënyrën se si qeveritë demokratike dhe moderne të shekullit XXI duhet të flasin për fqinjët e tyre.Me Kosovën, biseda jonë do të duhej të përqendrohej pikërisht te prioritetet. Si t’i konsolidojmë arritjet demokratike? Si ta avancojmë rritjen dhe zhvillimin ekonomik, në mënyrë që Kosova të vazhdojë të jetë burim stabiliteti në rajon? Si të punojmë së bashku?
Por, natyrisht, me administratën Trump do të kishte edhe një bisedë me karakter transaksional, që do të përfshinte LNG-në dhe çështje të tjera të energjisë.Prandaj, fakti që kjo bisedë nuk po zhvillohet në këtë mënyrë të strukturuar përmes Dialogut Strategjik, është tashmë një pasojë për Kosovën.Do të thosha gjithashtu se, aktualisht, keni njerëz të mirë që shërbejnë si ministra në detyrë, por është ndryshe kur keni një qeveri të plotë.Për shembull, është më e lehtë për ministrin e Ekonomisë të jetë në kontakt me homologët e tij amerikanë kur ata e dinë se ai person do të vazhdojë të jetë ministër edhe për disa vite. E njëjta vlen edhe për ministrin e Jashtëm dhe të tjerët.Këto janë pasojat për të cilat po flas.Mendoj se nuk është sekret që disa njerëz brenda administratës Trump janë ndier të sfiduar nga disa prej zgjedhjeve që ka bërë herë pas here kryeministri në detyrë, Kurti. Kjo është arsyeja pse Dialogu Strategjik u pezullua.Por, ai ka një mundësi të madhe për ta ripozicionuar këtë marrëdhënie dhe për të ecur përpara në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.
Dy gjëra për Kosovën
Radio Evropa e Lirë: Atëherë, bazuar në përvojën tuaj, çfarë hapash konkretë duhet të ndërmarrë Kosova që të fillojë Dialogu Strategjik? Çfarë standardesh duhet të shohë Uashingtoni?
Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas në emër të administratës Trump dhe as nuk do të doja ta bëja këtë. Nuk jam pjesë e diskutimeve të tyre, prandaj mund vetëm të spekuloj.Besoj se ata do të donin të shihnin, ndoshta, dy gjëra.E para, do të donin të shihnin një përgjigje ndaj dëshirës së tyre që Kosova të përfshihet në infrastrukturën më të gjerë rajonale të energjisë, e në veçanti në projektet që lidhen me LNG-në.Besoj se administrata Trump e ka bërë të qartë se ky është një prioritet i saj, prandaj mendoj se, nëse po përpiqesh të ndërtosh një marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, do të ishte gjë e mençur t’i përgjigjeshe pozitivisht kësaj.Gjëja tjetër që do të thosha është se kjo nuk është vetëm një çështje e administratës Trump. Është një çështje që ka ekzistuar edhe në administratat e tjera amerikane ku kam punuar.Mendoj se, herë pas here, kemi pasur pikëpamje të ndryshme me disa përfaqësues të Qeverisë aktuale të Kosovës, si dhe me Qeverinë Kurti në të kaluarën, lidhur me mënyrën më të mirë për t’i trajtuar çështjet shumë të ndjeshme të komuniteteve joshumicë, veçanërisht komunitetit serb në Kosovë, si dhe çështjen shumë të vështirë të garantimit që Serbia të mos ushtrojë sovranitet jashtë kufijve të saj.Kosova është një shtet sovran dhe duhet të jetë përgjegjëse për administrimin e shtetit të saj sovran brenda kufijve të vet. Por, njëkohësisht, duhet të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të komunitetit serb në Kosovë dhe të gjejë mënyra që Serbia të ushtrojë të drejtën që i jep Plani i Ahtisaarit për ta mbështetur atë komunitet, pa e cenuar sovranitetin e Kosovës.Këto janë çështje shumë, shumë të vështira. Janë çështje shumë, shumë të ndjeshme. Por, mendoj se aty u ndërpre Dialogu Strategjik, ose më saktë, aty u bazua vendimi që Qeveria amerikane mori vjeshtën e kaluar. Ai lidhej posaçërisht me veprimet e ndërmarra nga autoritetet e Kosovës në këto çështje të ndjeshme, pa pasur, nga këndvështrimi amerikan, konsultime të mjaftueshme ose përpjekje për të gjetur mënyra për të ecur përpara, që do të ishin më pak shqetësuese për komunitetin etnik serb.Prandaj, mendoj se Kosovës do t’i duhet gjithashtu të gjejë mënyra për t’i treguar Uashingtonit se Qeveria e Kosovës e kupton se kjo është një çështje e rëndësishme dhe e ndjeshme; se Kosova nuk do të heqë dorë nga sovraniteti i saj, dhe as nuk duhet ta bëjë këtë, por se do të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për të gjetur një rrugë të përbashkët përpara në trajtimin e këtyre çështjeve.Mendoj se këto janë dy çështjet kryesore.
“Kosova rrezikon ta humbasë besimin”
Radio Evropa e Lirë: A do ta humbë Kosova besimin nëse dështon të veprojë?
Jeffrey Hovenier: Mendoj se po. Sërish, nuk mund të flas në emër të kësaj administrate, por nga gjithçka që shoh, ajo është mjaft transaksionale dhe hapësira e saj e vëmendjes nuk është shumë e madhe.Prandaj, mendoj se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por, përkundrazi, të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi.
Radio Evropa e Lirë: Folëm për projektet e LNG-së. A mendoni se Kosova është në rrezik ta humbasë këtë mundësi strategjike të energjisë me Shtetet e Bashkuara?
Jeffrey Hovenier: Këtë e kam të vështirë ta them dhe nuk jam ekspert i këtyre çështjeve. Ekspertët që merren me to, shohin se administrata Trump po sjell ndryshime në infrastrukturën energjetike të Ballkanit Perëndimor.Unë vetëm do të vë në dukje se, sa kuptoj unë, të gjithë fqinjët e Kosovës tashmë janë pjesë e një mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara që përfshin LNG-në amerikane si një element të infrastrukturës energjetike të rajonit.Prandaj, është e vështirë të kuptohet pse Kosova do të ishte një rast kaq i ndryshëm, saqë kjo të mos kishte kuptim për të, nëse ka kuptim për Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë dhe vendet e tjera të rajonit.Sërish, nuk kam ekspertizë në këtë fushë, por po shoh edhe sinjalet politike, dhe ato janë gjithashtu shumë të qarta nga Uashingtoni.
Radio Evropa e Lirë: Mund të jetë e vështirë të thuhet, por pse heziton Kurti sipas jush?
Jeffrey Hovenier: Kam shumë respekt për kryeministrin Kurti. Megjithatë, gjatë viteve që kam punuar me të, kam mësuar të mos përpiqem kurrë t’i shpjegoj vendimet që ai merr, sepse ai mendon në mënyrën e vet, shumë unike dhe shumë të thellë. Prandaj, mendoj se kjo pyetje do të ishte më mirë t’i bëhej atij.Këshilla ime për të, po të isha ende atje, do të ishte: përfundoje procesin tënd të të menduarit dhe kthehu me ide, sepse vëmendja e Uashingtonit nuk është e pafundme dhe ata po presin një përgjigje pozitive.Mendoj se do të ishte në interesin tuaj të gjeni një mënyrë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në këtë çështje, të paktën me administratën Trump.


