Eko Higjiena

15 vite procese gjyqësore, një jetë e cenuar: Ramiz Selimi vazhdon betejën për drejtësi

/ 12 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Pas plot 15 vitesh betejë të gjatë me institucionet e drejtësisë, rasti i ekspertit të njohur të ekonomisë dhe ish-drejtorit të NLB Bank në Gjilan, Ramiz Selimi, vazhdon ende të mos marrë epilogun përfundimtar. Edhe pse në procesin penal ai u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga të gjitha akuzat, beteja e tij për kompensimin e dëmit vazhdon, pasi së fundmi Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur ta kthejë lëndën në rigjykim në Gjykatën e Apelit, duke e zgjatur edhe më tej një proces që tashmë është shndërruar në një nga rastet më të gjata dhe më të debatueshme në sistemin e drejtësisë kosovare.

Për dekada me radhë, emri i Ramiz Selimit ka qenë sinonim i profesionalizmit, integritetit dhe ekspertizës në fushën e ekonomisë dhe financave në Kosovë. Si një nga ekspertët më të spikatur të sektorit bankar dhe ish-drejtues në disa prej ndërmarrjeve më të rëndësishme shoqërore e financiare të Gjilanit, ai ndërtoi një karrierë të bazuar mbi dijen, përgjegjësinë dhe etikën profesionale.

Megjithatë, pikërisht një personalitet i këtij profili u përball me një nga proceset më të gjata dhe më të kontestuara gjyqësore në vend, duke u bërë shembull i asaj se si një akuzë e pabazuar mund të cenojë reputacionin, karrierën dhe jetën personale të një profesionisti. Pas 15 vitesh përballje me institucionet e drejtësisë, vendimet gjyqësore e shpallën të pafajshëm, ndërsa rasti i tij mbetet një dëshmi e fortë për nevojën e përgjegjësisë institucionale, drejtësisë së paanshme dhe mbrojtjes së dinjitetit të çdo qytetari.

Në shikim të parë, Ramiz Selimi lë përshtypjen e një njeriu të lodhur nga pesha e viteve dhe e betejave të gjata me drejtësinë. Por, pas asaj qetësie fshihet forca e një personaliteti që nuk u thye kurrë.

Ai thotë se, pavarësisht 15 viteve të mbushura me akuza, procese gjyqësore dhe padrejtësi, sot ndihet fituesi moral i kësaj përballjeje të pabarabartë. “Në momentin kur e dija me bindje të plotë se nuk kisha bërë asnjë shkelje dhe se punën time e kisha kryer me ndërgjegje, profesionalizëm dhe ndershmëri, nuk kisha më arsye të dorëzohesha. Përkundrazi, çdo padrejtësi më bëri më të fortë, më të qëndrueshëm dhe më të vendosur për ta mbrojtur të vërtetën”, shprehet Selimi.

Për të, fitorja nuk matet vetëm me vendimet e gjykatave, por me ruajtjen e dinjitetit, integritetit profesional dhe besimit se e vërteta, sado vonë, arrin gjithmonë të triumfojë.

Rasti i Ramiz Selimit konsiderohet nga njohës të jurisprudencës si një shembull që meriton të trajtohet në studime shkencore dhe analiza akademike mbi përgjegjësinë institucionale, të drejtat e njeriut dhe pasojat që mund të shkaktojë një proces i gjatë gjyqësor ndaj një qytetari që në fund rezulton i pafajshëm.

Selimi, një nga emrat më të njohur të sektorit bankar dhe financiar në Gjilan e më gjerë, për pesëmbëdhjetë vjet ka kaluar nëpër hetime, arrestime, paraburgim, procese gjyqësore dhe beteja civile, duke mbrojtur vazhdimisht pafajësinë e tij. Ai thotë se përveç dëmit profesional dhe ekonomik, ka përjetuar edhe pasoja të rënda morale, psikologjike dhe familjare.

Në një rrëfim për Rajonipress, Selimi shprehet se vendosi ta bëjë publike historinë e tij jo për interes personal, por për të dëshmuar se sa të rënda mund të jenë pasojat kur sistemi i drejtësisë gabon.

“Po e tregoj këtë histori që brezat e rinj ta kuptojnë se edhe një njeri krejtësisht i pafajshëm mund të përballet me një kalvar të gjatë institucional. Për pesëmbëdhjetë vjet kam jetuar nën peshën e një procesi që ma rrënoi karrierën, më largoi nga puna dhe la pasoja të mëdha në jetën time dhe të familjes sime,” thotë ai.

Karriera e Ramiz Selimit kishte qenë e ndërtuar mbi profesionalizëm dhe përvojë shumëvjeçare në sektorin ekonomik. Pas diplomimit në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës dhe përfundimit të studimeve pasuniversitare në Universitetin e Beogradit, ai kishte ushtruar funksione drejtuese në institucione të rëndësishme ekonomike dhe, pas luftës, ishte emëruar drejtor i filialës së NLB Bank në Gjilan.

Gjithçka ndryshoi në vitin 2011, kur pas një afere në bankë ndaj tij u ngrit aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Selimi u arrestua, qëndroi në arrest shtëpiak dhe më pas në paraburgim, ndërsa paralelisht humbi edhe vendin e punës.

Një nga episodet që ai e konsideron më të rëndë gjatë këtij procesi lidhet me pretendimin se kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak.

Sipas tij, ndonëse nuk kishte dalë fare nga shtëpia, mbi bazën e një raporti policor ai u rikthye në paraburgim. Selimi vazhdon të këmbëngulë se raporti mbi të cilin ishte bazuar ky vendim ishte i pasaktë dhe se ai asnjëherë nuk kishte qenë në restorantin ku pretendohej se ishte parë.

Procesi penal mori kthesë vetëm pasi u kryen ekspertiza të pavarura financiare.

Ekspertiza e parë, sipas Selimit, ishte hartuar pa e intervistuar atë dhe pa marrë në konsideratë raportet e auditorëve të bankës. Më pas, me kërkesë të mbrojtjes, u realizua një superekspertizë nga një grup ekspertësh financiarë, e cila e rrëzoi në tërësi bazën e aktakuzës.

Në vitin 2018, Gjykata Themelore në Gjilan e shpalli të pafajshëm, ndërsa vendimi u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit.

Pas përfundimit të procesit penal, Selimi iu drejtua gjykatës me padi civile për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial.

Uji Dea

Ekspertiza mjeko-ligjore vlerësoi se dëmi arrinte në rreth 65 mijë euro, megjithatë Gjykata Themelore vendosi t’i njohë kompensim në shumën prej 9.800 eurosh.

Ky vendim u kontestua në instancat më të larta gjyqësore dhe tani, pas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, lënda është kthyer sërish në rigjykim në Gjykatën e Apelit, duke e rikthyer edhe një herë në procedurë një çështje që zgjat tashmë një dekadë e gjysmë.

Selimi thotë se kompensimi financiar nuk mund të rikthejë vitet e humbura dhe dëmin e shkaktuar ndaj reputacionit të tij profesional.

“Paratë nuk e rikthejnë dinjitetin, shëndetin dhe vitet e humbura. Ajo që kërkoj është drejtësi e plotë dhe përgjegjësi institucionale për ata që me veprimet ose mosveprimet e tyre kontribuan në këtë proces të padrejtë. Askush nuk duhet ta përjetojë atë që kam përjetuar unë,” shprehet ai.

Rasti i Ramiz Selimit mbetet një nga proceset më të gjata gjyqësore në Kosovë, duke ngritur pikëpyetje serioze për efikasitetin e sistemit të drejtësisë, standardet e hetimit dhe përgjegjësinë institucionale në rastet kur një qytetar kalon vite të tëra nën akuza për t’u shpallur më pas i pafajshëm.

Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme për kthimin e lëndës në rigjykim e mban ende të hapur këtë histori, e cila, sipas juristëve dhe njohësve të sistemit të drejtësisë, tejkalon interesin individual dhe përbën një rast me rëndësi për praktikën gjyqësore dhe nevojën për forcimin e mekanizmave të përgjegjësisë institucionale në Kosovë.

Ramiz Selimi: Një rrugëtim profesional i ndërprerë nga një proces i gjatë gjyqësor

Jam Ramiz Selimi, i lindur më 23 korrik 1948 në Bresalc të Gjilanit. Studimet themelore i kam përfunduar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1974, ndërsa studimet pasuniversitare në Fakultetin e Shkencave Organizative të Universitetit të Beogradit në vitin 1980. Gjatë karrierës sime kam ushtruar funksione të rëndësishme drejtuese, fillimisht si drejtor financiar në Kombinatin e Tekstilit në Gjilan, më pas si drejtor i përgjithshëm i Industrisë së Duhanit në Gjilan dhe, pas luftës, nga viti 2008, si drejtor i filialës së NLB Bank në Gjilan.

Ngjarjet që ndryshuan rrjedhën e jetës sime nisën në maj të vitit 2011. Më 20 maj, Prokuroria e Qarkut në Gjilan ngriti aktakuzë ndaj një punonjëseje të NLB Bank për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim të klientëve. Vetëm dhjetë ditë më vonë, më 30 maj 2011, NLB Bank më njoftoi me shkrim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, me arsyetimin se “nuk kemi më nevojë për ju”. Një ditë më pas, banka paraqiti kallëzim penal ndaj meje për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit.

Më 1 qershor 2011, pa dijeninë dhe pa pëlqimin tim, u ndërpre kontrata e afatizimit të mjeteve të mia financiare dhe m’u bllokua llogaria bankare, pa vendim gjykate dhe pa bazë ligjore. Më 7 qershor 2011, Prokuroria ngriti aktakuzë edhe ndaj meje dhe po atë ditë më caktoi masën e ndalimit për 48 orë.

Nga 9 qershori deri më 17 gusht 2011 qëndrova në arrest shtëpiak, ndërsa më pas u dërgova në paraburgim deri më 3 tetor 2011. Ky vendim u mor mbi bazën e një raporti policor, sipas të cilit unë kisha shkelur masën e arrestit shtëpiak, duke pretenduar se më 16 gusht 2011 isha parë në restorantin “Sofra” në Gjilan. Ky pretendim ishte tërësisht i pavërtetë. Atë ditë nuk kam qenë fare në restorant, pasi isha agjërueshëm. Për më tepër, raporti policor mbante vulën e “Kosovo Police Service (KPS)”, ndonëse që nga viti 2008 ky institucion nuk ekzistonte më dhe ishte zëvendësuar nga Policia e Kosovës (PK). Raporti nuk iu vu asnjëherë në dispozicion as mua dhe as mbrojtjes sime, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme.

Në ndërkohë, Gjykata e Qarkut kërkoi ekspertizë financiare. Dy ekspertët e parë refuzuan ta merrnin përsipër këtë detyrë. Më pas u angazhua një ekspert nga Prishtina, ekspertiza e të cilit, sipas vlerësimit tim, ishte pothuajse një kopje e aktakuzës, pa më intervistuar asnjëherë dhe pa marrë në konsideratë raportin e auditorëve të brendshëm të bankës, i cili nuk më ngarkonte me asnjë shkelje.

Në seancën për konfirmimin e aktakuzës, më 23 shkurt 2012, kërkuam që eksperti të ishte i pranishëm për të arsyetuar gjetjet e tij, por u njoftuam se ai nuk mund të paraqitej. Me kërkesën e avokatit tim, Bajram Tmava, gjykata miratoi zhvillimin e një superekspertize, të cilën e realizoi një ekip ekspertësh në krye me Riza Blakën. Kjo ekspertizë analizoi në mënyrë të detajuar të gjitha pretendimet dhe rrëzoi plotësisht aktakuzën ndaj meje.

Paralelisht me procesin penal, u përballa edhe me bllokimin e padrejtë të llogarisë bankare. Kërkesat drejtuar NLB Bank, Bankës Qendrore të Kosovës dhe Institucionit të Ombudspersonit mbetën pa zgjidhje efektive. Vetëm pas procedurave gjyqësore civile, më 15 dhjetor 2014 llogaria ime u debllokua, ndërsa më vonë Gjykata Themelore vendosi që banka të më kompensonte për dëmin e shkaktuar nga mbajtja e padrejtë e mjeteve të mia financiare.

Edhe procesi penal kaloi nëpër disa faza rigjykimi. Më 30 prill 2015, Gjykata e Apelit e ktheu lëndën në rigjykim, ndërsa më 5 qershor 2018, Gjykata Themelore në Gjilan më shpalli të pafajshëm. Ky aktgjykim u vërtetua përfundimisht edhe nga Gjykata e Apelit më 24 shtator 2018, duke dëshmuar se akuzat ndaj meje ishin të pabazuara.

Pas përfundimit të procesit penal, më 30 maj 2019 ngrita padi civile ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial. Ekspertiza mjeko-ligjore e realizuar në vitin 2020 vlerësoi dëmin në shumën prej 65 mijë eurosh, ndërsa Gjykata Themelore vendosi një kompensim prej 9.800 eurosh. Çështja vazhdoi në instancat më të larta gjyqësore dhe së fundmi Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur ta kthejë lëndën në rigjykim në Gjykatën e Apelit.

Ky rrëfim nuk është thjesht historia ime personale. Është dëshmi e një kalvari institucional që zgjati pesëmbëdhjetë vjet dhe që la pasoja të rënda në jetën time profesionale, ekonomike, familjare dhe shëndetësore. Nuk ekziston një shumë parash që mund të kompensojë vitet e humbura, cenimin e reputacionit dhe vuajtjet e përjetuara. Megjithatë, besoj se drejtësia duhet të shkojë deri në fund, jo vetëm për të rehabilituar plotësisht emrin tim, por edhe për të vendosur përgjegjësi ndaj atyre që me veprimet ose mosveprimet e tyre kontribuan në ndërtimin e një procesi të padrejtë. Vetëm kështu raste të ngjashme nuk do të përsëriten dhe besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë mund të rikthehet./rajonipress/