ARKATANA

Policia dhe Gjykata thellojnë bashkëpunimin institucional, Rukiqi zhvillon takim pune me drejtuesit e sistemit gjyqësor në Gjilan dhe Novobërdë

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Drejtori Rajonal i Policisë në Gjilan, kolonel Agron Rukiqi, i shoqëruar nga stafi drejtues i Drejtorisë Rajonale të Policisë, ka zhvilluar një takim pune në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Novobërdë, ku është pritur nga kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, dhe gjyqtari mbikëqyrës i Degës në Novobërdë, Gazmend Ajvazi.

Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Policisë së Kosovës dhe sistemit gjyqësor, me theks të veçantë në koordinimin e veprimeve, komunikimin profesional dhe rritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve. Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit, duke theksuar se koordinimi i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të drejtësisë është thelbësor për funksionimin efektiv të sistemit të sundimit të ligjit.

Gjatë takimit u diskutua edhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe avancimin e mekanizmave të bashkëpunimit, me synim ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe efikase për qytetarët.

UBT

Pas përfundimit të takimit, drejtuesit e Policisë dhe përfaqësuesit e Gjykatës vizituan edhe Stacionin Policor në Novobërdë, ku u pritën nga menaxhmenti i stacionit. Në këtë vizitë u analizua situata e përgjithshme e sigurisë në komunë, realizimi i objektivave operative, sfidat me të cilat përballen zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe prioritetet strategjike për periudhën e ardhshme.

Me këtë rast, drejtori rajonal, kolonel Agron Rukiqi, falënderoi kryetarin e Gjykatës, Venhar Salihu, dhe gjyqtarin mbikëqyrës, Gazmend Ajvazi, për bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se partneriteti i ngushtë ndërmjet Policisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera të drejtësisë mbetet një shtyllë kyçe në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, forcimin e sigurisë publike, rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore dhe garantimin e sundimit të ligjit./rajonipress/