Hidromorava

Behgjet Pacolli: Zvarritja e Aeroportit të Vlorës rrezikon një investim mbi 320 milionë euro, SPAK të hetojë rastin

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Presidenti i MABCO Group, Behgjet Pacolli, ka reaguar publikisht lidhur me situatën e krijuar rreth projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke e cilësuar atë si një nga rastet më serioze të cenimit të sigurisë juridike për investimet e huaja në Shqipëri.

Përmes një postimi publik, Pacolli thekson se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, projekti më i madh i realizuar në formën e Partneritetit Publik-Privat (PPP) në Shqipëri, ku MABCO Construction S.A. është investitori i huaj dhe financuesi kryesor, vazhdon të mbetet në një situatë të papranueshme juridike dhe faktike.

Sipas tij, për një periudhë të gjatë, veprime dhe mosveprime që kompania i konsideron të kundërligjshme kanë penguar vazhdimisht përfundimin e punimeve, procesin e certifikimit dhe vënien në operim të aeroportit. Pacolli thekson se që nga dita e parë e angazhimit të saj, MABCO ka disponuar dhe vazhdon të disponojë të gjitha kapacitetet teknike, financiare, profesionale dhe organizative për ta përfunduar projektin në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Ai shprehet se, fatkeqësisht, në prani të institucioneve përgjegjëse dhe pa ndërhyrjen efektive të tyre, ndaj MABCO-s është ushtruar një presion i vazhdueshëm juridik, të cilin e cilëson si të jashtëligjshëm, me pasoja të rënda financiare dhe institucionale.

Mobi Casa

Pacolli nënvizon se pasojat e kësaj situate nuk i përballon vetëm MABCO, e cila ka një ekspozim financiar që tejkalon 320 milionë euro, por edhe qytetarët shqiptarë, ekonomia e vendit, investitorët e huaj potencialë dhe vetë reputacioni ndërkombëtar i Shqipërisë si destinacion për investime.

Në reagimin e tij, ai i bën thirrje Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të ndërmarrë një hetim të plotë, të pavarur dhe të gjithanshëm, me qëllim identifikimin dhe mbajtjen përgjegjës të çdo personi që mund të ketë kontribuar në krijimin e kësaj situate.

Sipas Pacollit, problematika lidhet me një sërë veprimesh dhe mosveprimesh që, sipas pretendimeve të MABCO-s, përfshijnë mashtrim, falsifikim dokumentesh, notifikime të jashtëligjshme, përdorim të dokumenteve të falsifikuara, ndërhyrje të paligjshme në procese gjyqësore, nxjerrje të vendimeve gjyqësore që më pas janë konstatuar si të paligjshme nga Gjykata e Lartë, moszbatim ose kundërshtim të efekteve juridike të vendimeve të kësaj gjykate, si dhe veprime apo mosveprime institucionale që kanë mundësuar vazhdimin e kësaj gjendjeje.

Në përfundim të reagimit, Behgjet Pacolli thekson se MABCO mbetet e vendosur ta përfundojë projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në përputhje me kontratën, ligjin dhe standardet më të larta profesionale, duke shprehur besimin se institucionet e drejtësisë do të veprojnë me pavarësi, paanshmëri dhe në respekt të Kushtetutës dhe ligjit./rajonipress/