Mobi Casa

Kllokoti investon në modernizimin e Rrugës së Banjave, synon ta kthejë në hyrje moderne të turizmit termal

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Kllokot – Komuna Multietnike e Kllokotit ka nisur projektin për modernizimin e Rrugës së Banjave, një investim që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e turizmit termal, një nga potencialet kryesore ekonomike të kësaj komune.

Nënkryetari i Komunës, Refik Halili, ka bërë të ditur se zhvillimi i kësaj rruge është një nga prioritetet strategjike të qeverisjes lokale, pasi ajo përfaqëson hyrjen kryesore drejt kompleksit të banjave termale, të cilat vizitohen nga një numër i madh qytetarësh dhe turistësh.

Sipas tij, projekti parashikon ndërtimin e trotuareve në të dy anët e rrugës, vendosjen e ndriçimit publik me teknologji LED, sinjalizimin horizontal dhe vertikal, kufizimin e shpejtësisë në 20 kilometra në orë për shkak të lëvizjes së shtuar të këmbësorëve, si dhe gjelbërimin e hapësirës me pemë dekorative dhe vendosjen e ulëseve për pushim.

Hidromorava

Halili theksoi se ky investim tejkalon karakterin e një projekti të zakonshëm infrastrukturor, pasi do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal, rritjen e potencialit turistik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët.

“Synimi ynë është që Kllokoti të ketë infrastrukturë moderne sipas standardeve evropiane, duke krijuar një ambient më të sigurt dhe funksional për qytetarët, si dhe një përvojë më cilësore për turistët që vizitojnë banjat termale”, ka deklaruar nënkryetari Halili.

Nga Komuna e Kllokotit bëjnë të ditur se investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë edhe në projekte të tjera me interes publik, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe promovimit të potencialeve turistike të komunës./rajonipress/