Komuna e Kamenicës subvencionon 48 biznese me mbi 162 mijë euro për zhvillimin e ekonomisë lokale
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka nënshkruar kontratat me 48 biznese përfituese në kuadër të skemës së subvencionimit për mbështetjen e bizneseve lokale, duke ndarë gjithsej 162,736 euro për investime dhe zgjerim të veprimtarisë ekonomike.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave morën pjesë nënkryetarja e Komunës, Arta Bajralija, dhe drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dërmaku, të cilët takuan përfituesit e thirrjes publike dhe theksuan rëndësinë e mbështetjes institucionale për sektorin privat.
Sipas të dhënave të komunës, nga programi i subvencionimit kanë përfituar 1 biznes prodhues, 10 biznese përpunuese, 4 biznese shërbyese dhe 33 biznese ndërtimore.
Nënkryetarja Bajralija tha se zhvillimi i bizneseve lokale mbetet një nga prioritetet e qeverisjes komunale, duke theksuar se përmes këtyre subvencioneve synohet rritja e kapaciteteve të ndërmarrjeve dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
Nga ana tjetër, drejtori Edon Dërmaku bëri të ditur se procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në mënyrë transparente dhe në përputhje me kriteret e përcaktuara në thirrjen publike.
“Ky është viti i katërt që Komuna e Kamenicës ndan grante për bizneset lokale. Synimi ynë është të mbështesim ndërmarrjet me potencial zhvillimi, duke ndikuar në rritjen e konkurrueshmërisë së tyre dhe në zhvillimin ekonomik të komunës”, u shpreh Dërmaku.
Nga Komuna e Kamenicës theksojnë se do të vazhdojnë të hartojnë dhe zbatojnë politika që nxisin zhvillimin e sektorit privat, rritjen e punësimit dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes në komunë./rajonipress/


