Policia e Gjilanit shqiptoi 1,815 gjoba brenda një jave, konfiskohen 11 motoçikleta
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka intensifikuar kontrollet në komunikacion gjatë javës së kaluar, duke shqiptuar gjithsej 1,815 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.
Sipas raportit të Policisë, gjatë periudhës 3–9 korrik 2026, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë zbatuar planet operative për rritjen e sigurisë në komunikacion, ndërsa janë hetuar 10 aksidente me dëme materiale dhe 33 aksidente me persona të lënduar.
Gjatë kontrolleve janë shqiptuar edhe:
26 gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë;
30 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes;
15 gjoba për modifikim të automjeteve me folie të errëta;
27 masa të ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike;
16 gjoba për drejtim të motoçikletës pa patentë shofer;
16 gjoba për drejtim të motoçikletës pa regjistrim valid;
23 gjoba për drejtim të motoçikletës pa helmetë.
Po ashtu, Policia ka konfiskuar përkohësisht 11 motoçikleta për shkak të shkeljeve të konstatuara.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes.
“Mosrespektimi i rregullave të trafikut kushton me jetë. Shpejtësia vret, ndërsa kujdesi i shtuar nënkupton shpëtim jete për vete dhe për të tjerët”, thuhet në apelin e Policisë.
Informacioni është bërë i ditur nga zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, toger Ismet Hashani./rajonipress/


