Eko Higjiena

Cërnica pajiset me kamera të sigurisë, projekt i përbashkët për forcimin e rendit dhe mbrojtjen e qytetarëve

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Fshati Cërnicë i Komunës së Gjilanit është pajisur me një sistem kamerash të sigurisë, në kuadër të një projekti të realizuar nga Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP), në bashkëpunim me Koordinatorin e Projekteve për Komunitet dhe Parandalim të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, si dhe Njësinë e Policisë në Komunitet të Stacionit Policor në Gjilan.

Projekti është financuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ndërsa Komuna e Gjilanit ka mbështetur realizimin e tij duke siguruar furnizimin me energji elektrike për funksionimin e sistemit të kamerave.

Sipas institucioneve të përfshira, qëllimi kryesor i këtij investimi është rritja e nivelit të sigurisë publike, parandalimi i veprave penale, mbrojtja e pronës publike dhe private, si dhe krijimi i një ambienti më të sigurt për banorët e fshatit.

Hidromorava

Vendosja e kamerave të sigurisë është mirëpritur nga komuniteti i Cërnicës, i cili e konsideron këtë projekt një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë, parandalimit të incidenteve dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në këtë lokalitet.

Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës theksuan se bashkëpunimi me komunitetin dhe institucionet vendore mbetet një element kyç në realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve.

Policia e Kosovës dhe Komiteti Lokal për Siguri në Bashkësi i Cërnicës ritheksuan përkushtimin e tyre për të identifikuar dhe adresuar nevojat e komunitetit, duke vazhduar zbatimin e iniciativave që synojnë krijimin e një mjedisi më të qetë, më të sigurt dhe më të mbrojtur për të gjithë qytetarët./rajonipress/