KKVITI

Riad Rashiti: Kryetari i Komunës po i shmanget llogaridhënies institucionale dhe debatit në Kuvendin Komunal

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Riad Rashiti, ka reaguar me akuza të ashpra ndaj kryetarit të Komunës së Gjilanit, duke e akuzuar atë për shmangie të raportimit institucional dhe mungesë të llogaridhënies para organit më të lartë vendimmarrës të komunës.

Përmes një postimi publik, Rashiti ka deklaruar se, sipas tij, kryetari i komunës nuk po përmbush obligimet ligjore për të raportuar para Kuvendit Komunal dhe, në vend të përballjes me debat institucional, po zgjedh të paraqitet si viktimë në opinionin publik.

“Kur një kryetar komune frikacak dhe uzurpator, nuk ka guxim të vijë dhe të raportojë, sipas obligimeve ligjore, para institucionit më të lartë të komunës Kuvendit Komunal, ai zgjedh të viktimizohet para publikut, duke tentuar që kaosin dhe dështimet e qeverisjes së tij t’i bartë në seancat e Kuvendit. Ironikisht, ai vetë i ikë diskutimeve më të rëndësishme për qytetin e Gjilanit”, ka shkruar Rashiti.

Ai pretendon se kryetari i komunës nuk ka marrë pjesë në seancat ku janë trajtuar çështje me rëndësi, përfshirë raportin e auditorit dhe raportin financiar për vitin 2024.

“Ky kryetar komune ka bërë aq shumë keqpërdorime dhe shkelje të ligjit, sa nuk ka guxim të përballet me kuvendarët për të gjeturat e raportit të auditorit, i cili ka konstatuar një gjendje alarmante në komunë. Ai nuk ishte i pranishëm as në seancën ku u prezantua raporti financiar për vitin 2024, ku u evidentuan humbje milionëshe dhe dyshime për keqpërdorime të mjeteve publike gjatë dy fushatave zgjedhore”, ka deklaruar ai.

Sipas Rashitit, mungesa e raportimit vazhdon edhe për punën e ekzekutivit komunal gjatë vitit 2025.

“Po ashtu, nuk ka guxim të raportojë për punën e tij gjatë vitit 2025, ndonëse raportimi para Kuvendit Komunal është obligim ligjor dhe institucional”, ka theksuar ai.

KKVITI

Në reagimin e tij, ai ka pretenduar gjithashtu se në seancën e fundit nuk është lejuar diskutimi për disa çështje që, sipas opozitës, janë me interes të madh publik.

“Sot nuk lejuan diskutimin për skandalet e ditëve të fundit me bulevardin e qytetit, faljen e 75 hektarëve dhe deponinë inerte”, është shprehur Rashiti.

Ai ka reaguar edhe ndaj një deklarate të kryetarit të komunës lidhur me përfaqësuesit e PDK-së në sallën e Kuvendit.

“Shprehim keqardhje që kryetari i komunës paska parë ‘katër burra të PDK-së’. Për sqarim, në sallë ishim tre burra dhe dy gra. Kontributi dhe angazhimi ynë nuk maten me numra apo etiketime, por me përkushtimin për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe interesit të qytetarëve”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, Rashiti ka theksuar se, sipas tij, përgjegjësia institucionale nuk mund të shmanget dhe ka kërkuar që kryetari i komunës të paraqitet në Kuvendin Komunal për të dhënë llogari.

“Përpjekjet për t’u paraqitur si viktimë nuk do ta shpëtojnë nga përgjegjësia. Të gjitha keqpërdorimet, shkeljet dhe uzurpimet e dyshuara do të dalin në dritë. Nëse vërtet ka guxim dhe argumente, le të vijë në Kuvendin Komunal, aty ku zhvillohet debati institucional dhe ku duhet të japë llogari para përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve të Gjilanit. Edhe kot e ka me i ikë përgjegjësisë dhe llogaridhënies ligjore”, ka përfunduar Rashiti./rajonipress/