Fundamenti

Pacolli ngre akuza të rënda: Kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares, paralajmëron padi edhe kundër Policisë së Vlorës për bllokimin e projektit të aeroportit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Biznesmeni dhe investitori Behgjet Pacolli ka reaguar sërish publikisht lidhur me zhvillimet e fundit rreth projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke bërë të ditur se gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë mes ekipit ligjor të MABCO-s dhe Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit janë ngritur shqetësime serioze mbi vendime dhe veprime që, sipas tij, po pengojnë realizimin e këtij investimi strategjik.

Në një deklaratë të publikuar “për hir të transparencës”, Pacolli thekson se sipas informacioneve të marra nga takimi, janë evidentuar dyshime të forta se masa e sigurimit e caktuar nga gjyqtarja Nakaj është në kundërshtim me ligjin dhe me praktikën e konsoliduar të Gjykatës së Lartë.

Sipas tij, si pasojë e këtij vendimi u pamundësua mbajtja e Asamblesë së VIA-s, e planifikuar për datën 6 qershor 2026, ndërsa efektet e këtij bllokimi vazhdojnë të shkaktojnë dëme të konsiderueshme dhe vështirësi serioze në funksionimin normal të shoqërisë.

Pacolli pretendon se ky vendim ka krijuar rrethana që kanë inkurajuar grupe të caktuara të veprojnë në kundërshtim me ligjin, me qëllim pengimin e realizimit të projektit të Aeroportit të Vlorës.

“Për veprimet që MABCO i konsideron të kundërligjshme nga ana e gjyqtares Nakaj, është bërë kallëzim pranë SPAK-ut”, ka deklaruar Pacolli.

Ai shton se, sipas informacioneve të marra nga avokatët e MABCO-s, ekzistojnë indicie të dokumentuara që përfaqësues të Avokaturës së Shtetit kanë kërkuar nga gjyqtarja bllokimin e zhvillimit të mbledhjes së ortakëve të VIA-s.

Sipas Pacollit, këto rrethana do t’i vihen në dispozicion SPAK-ut për të mundësuar zbardhjen e plotë të fakteve dhe identifikimin e personave përgjegjës për pengimin e realizimit të projektit.

Eco Higjiena

Në reagimin e tij, ai paralajmëron gjithashtu kallëzim penal ndaj punonjësve përgjegjës të Policisë së Vlorës, të cilët, sipas vlerësimit të MABCO-s, nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për zhbllokimin e rrugëve publike dhe hyrje-daljeve në kantierin e aeroportit.

Pacolli pretendon se autoritetet policore kanë lejuar vazhdimin e akteve të vetëgjyqësisë dhe veprimtarinë e rojeve private, pa ndërhyrë për të garantuar zbatimin e ligjit.

“Republika e Shqipërisë nuk mund të shndërrohet në një republikë të rojeve private, ku Policia e Shtetit qëndron pasive dhe nuk ushtron kompetencat që i ngarkon ligji”, thuhet në deklaratën e tij.

Ai thekson se MABCO ka investuar duke besuar në institucionet shqiptare, në sundimin e ligjit dhe në funksionimin e drejtë të sistemit të drejtësisë, ndërsa kërkon që të gjitha rrethanat e krijuara të hetohen në mënyrë të plotë dhe transparente.

Pacolli u bën thirrje institucioneve kompetente që të mos lejojnë zëvendësimin e shtetit ligjor me vetëgjyqësinë e grupeve apo individëve që veprojnë jashtë ligjit, por të marrin masa të menjëhershme për rivendosjen e rendit juridik dhe garantimin e vazhdimit normal të punimeve në aeroport.

Në fund të reagimit, ai rithekson se MABCO mbetet e përkushtuar për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje vetëm përmes rrugëve ligjore, me transparencë të plotë dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet kombëtare e ndërkombëtare të shtetit të së drejtës./rajonipress/