Pacolli kërkon auditim të plotë të projektit VIA: “Transparenca është e panegociueshme”
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se në Tiranë është zhvilluar një takim mes përfaqësuesve ligjorë të MABCO-s nga Tirana, Uashingtoni, Londra, Zyrihu dhe Lugano, si dhe përfaqësuesve të Avokaturës së Shtetit të Republikës së Shqipërisë, ku është rihapur çështja e nevojës për një auditim të plotë të projektit VIA.
Në deklaratën e tij publike, Pacolli thekson se MABCO ka kërkuar sërish realizimin e një auditimi profesional tekniko-financiar të veprës, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për garantimin e transparencës dhe besueshmërisë së projektit.
Sipas tij, që nga tetori i vitit 2025, MABCO i është drejtuar me mbi 50 shkresa institucioneve përkatëse dhe Avokaturës së Shtetit, duke kërkuar zhvillimin e një auditimi të pavarur nga një kompani ndërkombëtare e certifikuar për projekte të kësaj natyre. Megjithatë, deri më sot, ai thotë se nuk është marrë asnjë përgjigje konkrete dhe nuk është ndërmarrë asnjë hap për realizimin e këtij procesi.
Si aksioner kryesor i konsorciumit, MABCO i ka bërë thirrje Qeverisë së Shqipërisë që të japë miratimin e menjëhershëm për fillimin e një auditimi të plotë dhe të pavarur tekniko-financiar të projektit.
Pacolli sqaron se ky auditim duhet të përfshijë si aspektin teknik të ndërtimit të aeroportit, duke verifikuar standardet e sigurisë dhe cilësisë, ashtu edhe aspektin financiar, përfshirë investimet e kryera nga secili ortak, burimin dhe ligjshmërinë e fondeve, dokumentacionin bankar, kontratat, pagesat tatimore dhe procedurat doganore.
Ai thekson se verifikimi duhet të sigurojë që të gjitha fondet e investuara kanë prejardhje të ligjshme dhe të identifikueshme, duke përjashtuar çdo dyshim për përdorim të fondeve me burim të paligjshëm, përfshirë pastrimin e parave apo aktivitete të tjera kriminale.
“MABCO mbetet e përkushtuar ndaj transparencës së plotë, sundimit të ligjit dhe zgjidhjes së çdo mosmarrëveshjeje përmes procedurave ligjore dhe standardeve më të larta ndërkombëtare”, thuhet në qëndrimin e Pacollit./rajonipress/


