Mobi Casa

Bekim Bajrami ngre alarmin për Parkun e Gjilanit: “Po shkelet planifikimi urban dhe po heshtin profesionistët”

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Debati rreth ndërhyrjeve në Parkun e Qytetit të Gjilanit po vazhdon të prodhojë reagime të forta nga njohës të planifikimit urban dhe ish-zyrtarë komunalë. Së fundi ka reaguar ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Bekim Bajrami, i cili ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e realizimit të projektit, duke e cilësuar atë si një devijim të rëndë nga dokumentet e planifikimit urban dhe zhvillimor të qytetit.

Në reagimin e tij publik, Bajrami e ka quajtur atë që po ndodh me Parkun e Qytetit si një “vrasje” të një prej hapësirave më të rëndësishme të gjelbëra në Gjilan.

Sipas tij, ndërhyrjet aktuale përbëjnë shkelje të planit urban të qytetit, të projektit të qendrës, si dhe të dokumenteve strategjike të planifikimit, duke përfshirë Planin Zhvillimor Urban dhe Planin Zhvillimor Komunal.

“Ajo që po ndodh është një shkelje drastike e planit të qytetit: ndryshim i projektit të qendrës dhe moszbatimi i projektit të Administratës Komunale, Rigjenerimit Urban, Qendrës së qytetit (PZhU dhe PZhK) – shkelje e shumë ligjeve me bager”, ka shkruar Bajrami.

Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për procedurat administrative dhe dokumentacionin teknik të projektit, duke vlerësuar se çdo leje eventuale ndërtimore e lëshuar në këto rrethana do të ishte e kontestueshme.

“E gjithë kjo ndodhi brenda një zyre që ka dalë mbi të gjithë. Nëse e kanë lëshuar një leje ndërtimore, ajo është e simuluar dhe ka kaluar pa dokumentacion teknik. Ky është një mosrespekt total ndaj autoritetit. Ky projekt nuk mund të konsiderohet as si një variant i keq i planifikimit dhe është jashtëzakonisht i rëndë për një projektim profesional”, ka theksuar ai.

Bajrami vlerëson se mungesa e analizave profesionale dhe studimeve të fizibilitetit e bën edhe më problematik procesin aktual.

“Fizibiliteti duket të jetë një luks në këtë rast”, ka shtuar ai.

Një pjesë të veçantë të reagimit të tij, ish-drejtori i Urbanizmit ia kushton heshtjes së profesionistëve të fushës, të cilët sipas tij dikur ishin shumë aktivë në mbrojtjen e planeve urbanistike dhe respektimin e standardeve profesionale.

ARKATANA

“Por mbi të gjitha rëndon heshtja e profesionistëve të urbanizmit, nga të cilët nuk pamë asnjë reagim deri tani. Nuk po shihen gjëkund këta ‘luanë’ të dikurshëm të mbrojtjes së planit. Atë botë të paktën kishte një profesionalizëm politik, por sot nuk ka as etikë”, ka deklaruar Bajrami.

Duke kujtuar periudhën kur drejtonte këtë sektor, ai thotë se çdo detaj teknik në lejet ndërtimore kontrollohej me rigorozitet të lartë nga kolegët dhe profesionistët e fushës.

“Në një periudhë të kaluar të drejtimit të këtij departamenti, kolegët e punës dhe profesionistët më korrigjonin për çdo detaj e centimetër në çdo leje të lëshuar. Mbaheshin edhe për distanca më të vogla se 30 centimetra nëse dyshonin për shkelje. Në kohë reale i skanonin dhe i dërgonin në hetuesi e prokurori”, ka shkruar ai.

Sipas Bajramit, të gjitha akuzat e asaj kohe rezultuan të pabazuara, ndërsa ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, janë interpretuar në disa raste çështjet profesionale nga persona të angazhuar si ekspertë.

Ai ka rikujtuar gjithashtu procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal 2021–2029, duke theksuar se një pjesë e profesionistëve që morën pjesë në përgatitjen e dokumentit nuk e nënshkruan atë në fund të procesit, gjë që sipas tij ndikoi edhe në mosvazhdimin e procesit të zonimit të qytetit.

“Kolegët tanë profesionistë morën pjesë në PZhK 2021-2029, por në fund nuk e nënshkruan atë dokument dhe si rrjedhojë nuk u vazhdua as me Zonimin e qytetit. Tani që kjo administratë po ndryshon vetëm titullin e dokumentit, të njëjtit as nuk figurojnë më pjesë e ekipit”, ka deklaruar ai.

Në fund të reagimit, Bajrami ka shprehur zhgënjimin për mungesën e reagimeve nga ata që dikur, sipas tij, ishin mbrojtës të fortë të planifikimit urban dhe respektimit të ligjit.

“Prisja një reagim shumë më të ashpër nga ata, ashtu siç i mbaja mend, nëse vërtet nuk janë pjesë e këtyre ndryshimeve të dëmshme”, ka përfunduar ai, duke shtuar me ironi se Parku i Gjilanit “të paktën në formë përngjante me Central Parkun e Nju Jorkut”.

Reagimi i ish-drejtorit të Urbanizmit vjen në kohën kur punimet në Parkun e Qytetit dhe projekti i bulevardit kanë nxitur debat të gjerë publik, me kërkesa të shumta për transparencë, publikim të dokumentacionit teknik dhe diskutim profesional mbi ndikimin e projektit në mjedis dhe identitetin urban të Gjilanit./rajonipress/