ARKATANA

Sokol Haziri: Parku i Gjilanit po sakrifikohet në emër të një zhvillimi pa transparencë

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjilan, Sokol Haziri, ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjeve që po zhvillohen në Parkun e Qytetit, duke i cilësuar ato si një “masakër ekologjike” dhe një goditje të rëndë ndaj identitetit të gjelbër të qytetit.

Sipas Hazirit, prerja e drunjve dhe reduktimi i sipërfaqeve të gjelbra në zemër të Gjilanit nuk mund të justifikohen në emër të zhvillimit urban, sidomos në mungesë të transparencës së plotë dhe debatit publik me qytetarët.

“Ajo që po ndodh me Parkun e Qytetit nuk mund të quhet zhvillim. Është shkatërrim i vetmes oazë të gjelbër në qendër të Gjilanit”, ka deklaruar Haziri, duke shtuar se qytetet moderne po investojnë gjithnjë e më shumë në hapësira të gjelbra, ndërsa Gjilani po ecën në drejtimin e kundërt.

Ai ka theksuar se parku përfaqëson një nga asetet më të rëndësishme mjedisore dhe sociale të qytetit, duke shërbyer si vend pushimi, rekreacioni dhe frymëmarrjeje për mijëra qytetarë të të gjitha moshave.

“Kjo ndërhyrje po i heq qytetit mushkëritë e tij natyrore. Qytetarët kanë të drejtë të dinë pse po sakrifikohet parku, cilat alternativa janë shqyrtuar dhe cili do të jetë ndikimi afatgjatë në mjedis dhe cilësinë e jetës”, ka theksuar ai.

Fundamenti

Haziri ka kërkuar transparencë të plotë institucionale, publikimin e të gjitha dokumenteve relevante dhe një debat të gjerë publik para se të vazhdojnë ndërhyrjet e mëtejshme në këtë hapësirë.

Sipas tij, zhvillimi urban duhet të harmonizohet me mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik, duke paralajmëruar se projektet infrastrukturore nuk duhet të realizohen në kurriz të trashëgimisë natyrore të qytetit.

“Gjilani ka nevojë për më shumë gjelbërim, jo për më pak. Parku i qytetit duhet të mbrohet dhe të trajtohet si pasuri publike e pazëvendësueshme, e jo si pengesë për projektet urbanistike”, ka përfunduar Haziri.

Debati rreth fatit të Parkut të Qytetit po vazhdon të zgjojë reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa qytetarët dhe përfaqësues të opozitës po kërkojnë sqarime më të detajuara lidhur me ndikimin që do të ketë projekti i ri urban në një nga hapësirat më të rëndësishme të gjelbëra të Gjilanit./rajonipress/