Prokuroria e Gjilanit lider në luftën kundër korrupsionit, rezultatet konfirmojnë efikasitetin e institucionit nën drejtimin e Arben Kadriut
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka shënuar një nga sukseset më domethënëse në nivel vendi në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, duke u renditur e para për nga përqindja e trajtimit të kallëzimeve penale për korrupsion gjatë vitit 2025.
Këto të dhëna janë bërë publike në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku është prezantuar raporti vjetor për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike.
Raporti, i prezantuar nga prokurorja Elza Bajrami-Kastrati, nxori në pah performancën e lartë të Prokurorisë së Gjilanit, e cila ka arritur përqindjen më të lartë të trajtimit të rasteve të korrupsionit në Kosovë, me 67 për qind.
Rezultatet e prezantuara konsiderohen dëshmi e një pune intensive dhe të qëndrueshme të prokurorëve dhe stafit profesional të këtij institucioni, i cili gjatë viteve të fundit ka intensifikuar përpjekjet për të goditur korrupsionin dhe format e ndryshme të kriminalitetit ekonomik.
Një sukses i veçantë është fakti se Prokuroria e Gjilanit ka përfunduar trajtimin e të gjitha rasteve të kategorisë PPN që lidhen me korrupsionin, duke i kaluar ato në procedura të rregullta hetimore dhe penale. Ky tregues vlerësohet si një arritje e rëndësishme institucionale, pasi dëshmon përkushtimin për të shmangur grumbullimin e lëndëve dhe për të garantuar trajtim efikas të secilit rast.
Po ashtu, edhe në fushën e krimeve ekonomike, Prokuroria Themelore në Gjilan është veçuar si institucioni që ka proceduar numrin më të madh të kallëzimeve penale në nivel vendi, duke dëshmuar kapacitet profesional dhe angazhim të shtuar në luftimin e veprave që cenojnë ekonominë dhe interesin publik.
Një pjesë e meritës për këto rezultate i atribuohet edhe udhëheqjes së kryeprokurorit Arben Kadriu, nën drejtimin e të cilit Prokuroria e Gjilanit ka ndërtuar një qasje më dinamike dhe më efikase në trajtimin e rasteve të ndjeshme. Burime nga sistemi prokurorial vlerësojnë se fokusi në profesionalizëm, përgjegjësi institucionale dhe rritjen e performancës ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e arritura gjatë vitit 2025.
Raporti konfirmon se qytetarët vazhdojnë të mbeten burimi kryesor i denoncimeve për korrupsion, ndërsa Policia e Kosovës dhe institucionet publike mbeten partnerë të rëndësishëm në identifikimin dhe procedimin e rasteve.
Të dhënat e prezantuara në Këshillin Prokurorial të Kosovës e pozicionojnë Prokurorinë Themelore në Gjilan ndër institucionet më aktive dhe më efikase në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, duke e shndërruar atë në një model të performancës institucionale dhe të llogaridhënies në sistemin prokurorial të Kosovës./rajonipress/


