Uji Dea

Mbi 1,500 gjoba brenda një jave, Policia e Gjilanit intensifikon kontrollet në trafik

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka vazhduar zbatimin e planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion, duke shqiptuar gjithsej 1,534 gjoba trafiku gjatë periudhës 12–18 qershor 2026.

Sipas të dhënave zyrtare, njësitet e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në rajonin e Gjilanit kanë zhvilluar aktivitete të shtuara kontrolli dhe monitorimi në rrugë, me fokus parandalimin e kundërvajtjeve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Gjatë kësaj periudhe janë hetuar tetë aksidente trafiku me dëme materiale dhe 15 aksidente me persona të lënduar. Po ashtu, policia ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit, duke shqiptuar 56 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 34 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes dhe 34 gjoba për automjete të modifikuara me xhama të errët në kundërshtim me rregulloret në fuqi.

ARKATANA

Në kuadër të masave parandaluese, autoritetet kanë shqiptuar edhe 46 masa të ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike ndaj ngasësve që kanë kryer shkelje të rënda të rregullave të trafikut.

Policia Rajonale e Gjilanit ka apeluar tek qytetarët që në rastet e aksidenteve me dëme të vogla materiale të tregojnë kujdes dhe bashkëpunim, duke respektuar procedurat ligjore, dokumentimin e vendit të ngjarjes dhe plotësimin e raportit evropian të aksidentit.

Autoritetet e rendit kanë rikujtuar se respektimi i rregullave të trafikut mbetet faktor kyç në parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës së pjesëmarrësve në komunikacion, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe përgjegjësi më të madhe gjatë drejtimit të automjeteve./rajonipress/