“Gratë në rrugën e lirisë”, ekspozitë që rikthen në kujtesë kontributin e grave në luftën çlirimtare
Kamenicë – Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Kamenicës, është hapur ekspozita “Gratë në rrugën e lirisë”, një ngjarje përkujtimore dhe kulturore që solli në qendër të vëmendjes rolin dhe sakrificën e grave shqiptare gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes fotografive, dokumenteve dhe dëshmive vizuale, ekspozita paraqiti rrugëtimin e grave që kontribuuan në forma të ndryshme në luftën për liri, duke dëshmuar guxim, përkushtim dhe sakrificë në një nga periudhat më të vështira të historisë së Kosovës. Fotot e ekspozuara pasqyruan gra që ishin pjesë e UÇK-së dhe që dhanë kontribut të çmuar në përpjekjet për çlirimin e vendit.
Ekspozita u organizua nga ish-pjesëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga zona të ndryshme operative, me organizatore Bukurije Rexhepaj-Dukaj dhe ideatore Mirvete Hasani, Demrije Salijaj, Florije Osmani dhe Linda Fetahu-Krivanjeva.
Gjatë ceremonisë, Linda Fetahu-Krivanjeva foli për procesin e mbledhjes së materialeve dhe dokumentimit të historive që përbëjnë përmbajtjen e ekspozitës, duke theksuar se kjo iniciativë synon të ruajë kujtesën historike dhe të dëshmojë rolin e rëndësishëm që gratë kanë pasur gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, vlerësoi organizimin e ekspozitës, duke theksuar se ajo përfaqëson një pjesë të rëndësishme të kujtesës kolektive dhe të historisë së rezistencës së popullit të Kosovës.
“Jemi të lumtur që kemi kontribuar në realizimin e kësaj ekspozite, e cila ruan dhe promovon vlera të rëndësishme historike e kombëtare. Kontributi i grave në luftën për liri është pjesë e pandashme e historisë sonë dhe meriton të nderohet e të kujtohet vazhdimisht”, tha Rahimaj.
Ndërkohë, Bukurije Rexhepaj-Dukaj, si ish-pjesëtare e UÇK-së, ndau me të pranishmit kujtime dhe përjetime nga periudha e luftës, duke falënderuar Komunën e Kamenicës për mbështetjen në realizimin e kësaj ekspozite.
Në fjalën e tij, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Kamenicë, Milaim Limoni, theksoi rëndësinë e rolit të grave në periudhën e luftës, duke vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e tyre në mbështetje të kauzës së lirisë.
Ai nënvizoi se gratë shqiptare ishin jo vetëm dëshmitare të historisë, por edhe pjesëmarrëse aktive në rezistencë, duke përballuar me guxim sfidat dhe rreziqet e kohës.
Në përfundim të ceremonisë, kryetari Rahimaj ndau mirënjohje për organizatoret dhe ish-pjesëtaret e UÇK-së, në shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin e tyre në luftën për liri dhe në ruajtjen e kujtesës historike të vendit.
Ekspozita “Gratë në rrugën e lirisë” u vlerësua si një homazh i veçantë për gratë që kontribuuan në rrugëtimin drejt lirisë, duke sjellë para publikut histori frymëzuese të guximit, sakrificës dhe dashurisë për atdheun./rajonipress/


