Kamenica nderon ditën e lirisë, Kuvendi Komunal mban seancë solemne në 26-vjetorin e çlirimit
Kamenicë – Me emocione, krenari dhe mesazhe mirënjohjeje për dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë, Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 18 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kamenicës, një nga datat më të rëndësishme në historinë e komunës.
Në këtë ngjarje përkujtimore morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve të sigurisë, të bashkësive fetare, qytetarë dhe mysafirë të shumtë, të cilët bashkërisht nderuan sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.
Seancën e hapi kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, e cila e cilësoi 18 Qershorin si një datë që simbolizon triumfin e lirisë, sakrificës dhe shpresës për një të ardhme më të mirë.
“Sot, me krenari dhe mirënjohje të thellë, shënojmë Ditën e Çlirimit të Kamenicës, ditën kur liria triumfoi mbi sakrificën dhe shpresa mbi vuajtjen. Mënyra më e mirë për t’i nderuar ata që dhanë jetën për lirinë është të punojmë çdo ditë për zhvillimin e komunës sonë, për mirëqenien e qytetarëve dhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, u shpreh ajo.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, tha se kjo datë përfaqëson kujtesën kolektive të sakrificës dhe idealit për liri, duke theksuar se përgjegjësia e brezave të sotëm është ta shndërrojnë këtë trashëgimi në zhvillim, progres dhe perspektivë për qytetarët.
“Liria nuk është vetëm mungesa e luftës. Ajo matet me mundësitë që u krijojmë qytetarëve tanë për të jetuar me dinjitet, me institucione funksionale dhe me besim në të ardhmen”, tha Rahimaj.
Një mesazh të veçantë në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Dega në Kamenicë, përcolli kryetari i saj, Milaim Limoni, i cili rikujtoi sakrificën e dëshmorëve dhe luftëtarëve që kontribuuan për çlirimin e vendit.
“Sot jemi mbledhur për të nderuar një datë që mbetet e skalitur në kujtesën historike të Kamenicës. Çlirimi i komunës sonë nuk shënoi vetëm fundin e një periudhe shtypjeje dhe padrejtësie, por edhe fillimin e një epoke të re të ndërtuar mbi idealet e lirisë, dinjitetit dhe të drejtës për të jetuar të lirë në vendin tonë”, deklaroi Limoni.
Ai theksoi se nderimi më i madh për të rënët është angazhimi i vazhdueshëm për zhvillimin e vendit, forcimin e institucioneve demokratike dhe ruajtjen e vlerave për të cilat u sakrifikuan breza të tërë.
Në përfundim të seancës solemne, pjesëmarrësit ritheksuan se liria e fituar me shumë sakrificë mbetet obligim i përhershëm për t’u mbrojtur, kultivuar dhe forcuar përmes punës, unitetit dhe përkushtimit ndaj zhvillimit të Kamenicës dhe mirëqenies së qytetarëve të saj.
Dita e Çlirimit të Kamenicës u përkujtua si një moment reflektimi historik, por edhe si një thirrje për të vazhduar ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt, më të zhvilluar dhe më dinjitoze për brezat që vijnë./rajonipress/


