Mobi Casa

Edukimi si mburojë kundër drogës, në Viti shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogës

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Viti – Me aktivitete ndërgjegjësuese dhe ligjërata edukative për nxënësit, në Komunën e Vitisë është shënuar Dita Ndërkombëtare Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogës, duke përcjellë mesazhe të fuqishme për parandalimin e përdorimit të substancave narkotike dhe promovimin e një jete të shëndetshme.

Aktiviteti u organizua në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit. Në këtë kuadër, ekipi mjekësor i QKMF-së së Vitisë, i përbërë nga dr. Delvina Lamallari dhe dr. Artë Gashaj, mbajti ligjërata edukative me nxënësit e klasave të teta në Shkollën Fillore “Bafti Haxhiu” në Viti dhe në Shkollën Fillore “Halil Alidema” në Pozharan.

Gjatë takimeve me nxënësit u diskutua për pasojat e përdorimit të drogës në shëndetin fizik dhe mendor, ndikimin e saj në jetën sociale dhe familjare, si dhe për rëndësinë e zgjedhjeve të shëndetshme në periudhën e rinisë.

Përfaqësuesit shëndetësorë theksuan se abuzimi me drogat mbetet një nga sfidat më serioze të shëndetit publik në nivel global, me pasoja të shumanshme që prekin individin, familjen dhe shoqërinë në tërësi. Në veçanti u nënvizua fakti se të rinjtë janë grupi më i ndjeshëm ndaj rrezikut të varësisë, çka e bën edukimin dhe informimin e hershëm një ndër mjetet më të rëndësishme të parandalimit.

ARKATANA

Dita Botërore Kundër Drogave dhe Abuzimit me Drogat, e cila shënohet çdo vit më 26 qershor, synon të rrisë ndërgjegjësimin publik për rreziqet e substancave narkotike dhe të promovojë politika, programe dhe iniciativa që mbështesin shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Organizatorët e aktivitetit theksuan se parandalimi i dukurisë së përdorimit të drogës kërkon angazhim të përbashkët të familjes, shkollës, institucioneve shëndetësore dhe komunitetit, duke krijuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për fëmijët dhe të rinjtë.

Në përmbyllje të aktiviteteve u përcoll mesazhi sensibilizues: “Të zgjedhim jetën, shëndetin dhe të ardhmen pa drogë”, si thirrje për vetëdijesim dhe përgjegjësi kolektive në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të substancave narkotike./rajonipress/