Kuvendi i Gjilanit mban seancë solemne për nder të 27-vjetorit të çlirimit
Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi- Kqikut, të hënën ka mbajtur seancë solemne, për nder të 27-vjetorit të çlirimit të Gjilanit, në të cilën morën pjesë përfaqësues të Komunës, përfaqësues nga institucionet e sigurisë e përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Në fjalën e rastit, kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku, tha se kjo datë e shënuar na rikthen në kujtesë një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë të re, ditën ku më 15 qershor 1999, Gjilani dhe mbarë Kosova nisën një kapitull të ri të lirisë, shpresës dhe dinjitetit njerëzor.
“Liria që e gëzojmë sot, nuk erdhi rastësisht. Ajo është rezultat i sakrificës së dëshmorëve, martirëve dhe luftëtarëve të lirisë, të cilët me guximin dhe vendosmërinë e tyre, zgjodhën rrugën më të vështirë për të siguruar të ardhmen e brezave që vijnë pas tyre. Në këtë ditë, me respektin më të madh, përulemi para veprës së tyre madhështore, duke shprehur mirënjohjen e pafund për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët dhe të gjithë ata që kontribuan në mënyra të ndryshme në përpjekjen e përbashkët për lirinë dhe pavarësinë”, ka thënë ajo, për të shtuar se Gjilani ka qenë dhe mbetet një qytet i rëndësës, i qëndresës, patriotizmit dhe i vlerave kombëtare.
“Bijtë dhe bijat e këtij qyteti dhanë kontribut të çmuar në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe shtetndërtimit, prandaj sot është ditë krenarie për të gjithë qytetarët e Gjilanit”, ka theksuar, veç tjerash, kryesuesja Latifi-Kqiku.
Në këtë séance solemne kanë dhënë mesazhet e tyre edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ish-zëdhënësi i ZOK, Ismet Sylejmani, sikurse edhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Komunës, Shpend Nuhiu (LVV), Sami Ahmeti (LDK) dhe Bujar Nevzadi (PDK)./rajonipress/


