Mbjellja e drunjve në trotuar kufizon hapësirën e lirë të këmbësorëve në rrugën “Hamdi Kurteshi”
Gjilan – Mbjellja e drunjve dhe krijimi i shtigjeve të gjelbra përgjatë rrugëve publike duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të çdo qeverisjeje, duke pasur parasysh ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në përmirësimin e mjedisit dhe cilësisë së jetës ka shkruar Bashkim Isufi.
Postimi i plotë:
Megjithatë, vendosja e drunjve dhe elementeve të tjera urbane brenda trotuarit me gjerësi rreth 1.20 m ka reduktuar hapësirën e lirë të lëvizjes në rreth 0.70 m, duke kufizuar qarkullimin e lirë dhe të sigurt të këmbësorëve.
Kjo situatë ndikon veçanërisht tek personat me aftësi të kufizuara që përdorin karroca lëvizëse, prindërit me karroca për fëmijë si dhe te të moshuarit, të cilët në shumë raste detyrohen të ndalen, të presin apo të manovrojnë me vështirësi për t’i dhënë përparësi kalimit të të tjerëve, duke cenuar kështu lëvizjen e tyre të pavarur dhe të sigurt në hapësirën publike.
Sipas parimeve të qasshmërisë universale, standardit evropian EN 17210:2021 dhe kërkesave të Udhëzimit Administrativ Nr. 33/2007, trotuaret duhet të sigurojnë një korridor të lirë, të pandërprerë dhe të sigurt për lëvizjen e këmbësorëve.
Elementet urbane, si drunjtë, shtyllat, sinjalistika dhe pajisjet e tjera, duhet të vendosen në mënyrë të tillë që të mos pengojnë zonën kryesore të lëvizjes dhe të garantohet qasshmëria për të gjithë përdoruesit.
Gjatë prezantimit të projektit për zgjerimin e rrugës “Hamdi Kurteshi”, është bërë e ditur se projekti me vlerë prej rreth 2.4 milionë eurosh përfshin ndërtimin e një rruge me katër korsi, trotuare në të dy anët e rrugës, shteg për biçikleta dhe infrastrukturë nëntokësore.
Sipas ecurisë së deritanishme të punimeve në terren, në një segment të rrugës, veçanërisht në afërsi të rrethrrotullimit që lidh rrugën “Hamdi Kurteshi” me rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, vërehet se profili i realizuar nuk pasqyron plotësisht karakteristikat e parashikuara të zgjerimit rrugor, duke ngritur nevojën për verifikim të mëtejshëm të përputhshmërisë së punimeve me projektin dhe dokumentacionin teknik.
Rekomandohet krijimi i një shiriti të gjelbër ndarës ndërmjet trotuarit dhe pjesës së komunikacionit rrugor, veçanërisht përgjatë segmentit ku janë mbjellë drunjtë dhe janë vendosur shtyllat e ndriçimit publik, me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore, komoditetit të lëvizjes dhe cilësisë së mjedisit urban.
Njëkohësisht, vendosja e elementeve urbane, si drunjtë, shtyllat e ndriçimit, sinjalistika dhe pajisjet e tjera infrastrukturore, duhet të realizohet në mënyrë të tillë që të mos cenojë korridorin e lirë të lëvizjes së këmbësorëve dhe të sigurojë qasshmëri universale për të gjithë përdoruesit./rajonipress/


