Fundamenti

Pas 41 vitesh në shërbim të pacientëve, pensionohet urologu Nexhat Shabani, një karrierë e ndërtuar mbi profesionalizëm, shkencë dhe humanizëm

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Pas më shumë se katër dekadash në shërbim të shëndetit të qytetarëve, specialisti i njohur i urologjisë, Dr. Nexhat Shabani, i ka dhënë fund karrierës së tij aktive profesionale, duke u pensionuar pas 41 vitesh punë të pandërprerë në sistemin shëndetësor.

Në një ceremoni të organizuar me këtë rast në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, kolegët, bashkëpunëtorët dhe drejtuesit e institucionit shprehën mirënjohjen dhe respektin për kontributin e jashtëzakonshëm që Dr. Shabani ka dhënë ndër vite në trajtimin e mijëra pacientëve dhe në avancimin e shërbimeve urologjike në rajon.

Drejtori i Spitalit, Dr. Afrim Cana, duke i ndarë mirënjohje me rastin e pensionimit, e cilësoi Dr. Shabanin si një prej figurave më të respektuara të mjekësisë gjilanase.

“Dr. Nexhati është model i një mjeku me përvojë të gjatë në shëndetësinë publike, përkushtimi dhe profesionalizmi i të cilit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Ai ka qenë gjithmonë në shërbim të pacientëve me integritet, etikë dhe kompetencë të lartë profesionale. E falënderojmë për gjithçka që ka dhënë për institucionin dhe qytetarët”, tha Cana.

Vlerësime të larta për punën e tij shprehu edhe udhëheqësi i Shërbimit të Urologjisë, Dr. Mervan Tosku, i cili theksoi se Dr. Shabani ka qenë për vite të tëra shembull i profesionalizmit, bashkëpunimit kolegjial dhe përkushtimit ndaj pacientit.

Vetë Dr. Nexhat Shabani, në fjalën e tij falënderuese, tha se ndjehet krenar për rrugëtimin profesional dhe për rezultatet e arritura së bashku me kolegët.

“Jam krenar për punën që kemi bërë ndër vite. Mbi të gjitha, mbetem i lumtur për shërbimin që u kemi ofruar pacientëve dhe për marrëdhëniet njerëzore e profesionale që kemi ndërtuar gjatë kësaj periudhe. Falënderoj secilin koleg për respektin dhe bashkëpunimin,” u shpreh ai.

FIDANISHTJA

Pensionimi i Dr. Shabanit shënon fundin e një kapitulli të rëndësishëm në historinë e shërbimit urologjik në Gjilan. I njohur për qetësinë profesionale, maturinë intelektuale dhe qasjen e kujdesshme ndaj pacientëve, ai ka qenë ndër emrat më të spikatur të mjekësisë në rajon.

Përveç angazhimit klinik në Qendrën Spitalore Rajonale të Gjilanit, ku ka trajtuar me sukses një gamë të gjerë patologjish të traktit urinar, sëmundjeve të prostatës, veshkave dhe fshikëzës urinare, Dr. Shabani ka dhënë kontribut të rëndësishëm edhe në fushën shkencore.

Ai është bashkautor në studime të publikuara në revista ndërkombëtare të urologjisë, duke përfshirë hulumtime mbi patologjitë komplekse renale, ndërsa ka qenë pjesëmarrës i rregullt në kongrese dhe konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, ku ka ndjekur zhvillimet më bashkëkohore të kësaj fushe.

Për shumë vite ai ka ushtruar profesionin edhe në sektorin privat, duke ofruar diagnostikim, konsultime dhe trajtime të specializuara për pacientët nga Gjilani dhe mbarë Kosova.

Në një sistem shëndetësor që përballet vazhdimisht me sfida profesionale dhe infrastrukturore, figura si ajo e Dr. Nexhat Shabanit mbeten shembull i përkushtimit, dijes dhe humanizmit.

Pas 41 vitesh shërbim, ai largohet nga detyra aktive me respektin e kolegëve, mirënjohjen e pacientëve dhe me një trashëgimi profesionale që do të mbetet gjatë në kujtesën e institucioneve shëndetësore dhe të komunitetit që i shërbeu me devotshmëri./rajonipress/