Rahimaj për aksionin në Kamenicë: Sundimi i ligjit po forcohet, falënderim për institucionet e sigurisë
Kamenicë – Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka përshëndetur realizimin e një aksioni të rëndësishëm policor në territorin e komunës, duke shprehur mirënjohje për institucionet e rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës për, siç tha ai, angazhimin profesional dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Sipas Rahimajt, operacioni i zhvilluar pas një pune intensive hetimore dhe koordinimi të ngushtë mes institucioneve kompetente ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar, të cilët, sipas autoriteteve, kanë qenë të përfshirë në aktivitete që për një kohë të gjatë kanë paraqitur sfida për funksionimin normal institucional në komunën e Kamenicës.
Kryetari bëri të ditur se në kuadër të aksionit janë bastisur disa objekte, ndërsa më pas janë arrestuar dy drejtorë të shkollave që funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb, me inicialet N.V. dhe D.K., të dyshuar për vepra të ndryshme penale që tashmë janë objekt i hetimeve të organeve të drejtësisë.
“Faleminderit institucioneve të rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Ky aksion dëshmon përkushtimin e institucioneve tona në mbrojtjen e rendit, ligjit dhe interesit publik. Sundimi i ligjit mbetet themel i funksionimit demokratik dhe garanci për sigurinë e qytetarëve tanë”, ka deklaruar Rahimaj.
Ai theksoi se Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar ndaj trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie apo përkatësie tjetër, duke vlerësuar se siguria, stabiliteti institucional dhe respektimi i ligjit janë parakushte për zhvillimin dhe mirëqenien e komunitetit.
Rahimaj nënvizoi se bashkëpunimi i vazhdueshëm me institucionet e sigurisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim forcimin e rendit publik dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e komunës.
Komuna e Kamenicës ritheksoi mbështetjen për çdo veprim institucional që synon luftimin e paligjshmërisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e funksionimit të rregullt të institucioneve në shërbim të qytetarëve./rajonipress/


