ARKATANA

Mbi 1,300 gjoba për një javë në Anamoravë, Policia e Gjilanit intensifikon kontrollet në trafik

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka vazhduar zbatimin e planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion, duke shqiptuar gjithsej 1,315 gjoba trafiku gjatë periudhës 5–11 qershor 2026.

Sipas të dhënave zyrtare, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në rajon kanë zhvilluar kontrolle të shtuara në rrugë, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe identifikimin e shkeljeve që rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.

Gjatë kësaj periudhe, policia ka hetuar 16 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 12 aksidente me persona të lënduar, duke dëshmuar nevojën për kujdes më të madh dhe respektim të rregullave të komunikacionit nga ana e drejtuesve të automjeteve.

Në kuadër të aktiviteteve parandaluese dhe ndëshkuese, zyrtarët policorë kanë shqiptuar 21 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 31 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes dhe 60 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut.

UBT

Po ashtu, si masë shtesë për shkelësit e rregullave të komunikacionit, policia ka shqiptuar 33 masa të ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike, duke larguar përkohësisht nga trafiku ngasësit që kanë paraqitur rrezik për sigurinë publike.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, të mos përdorin telefonin gjatë ngasjes, të vendosin rripin e sigurisë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.

“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm përmes respektimit të rregullave të trafikut mund të kontribuojmë në uljen e numrit të aksidenteve dhe në mbrojtjen e jetës së qytetarëve”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.

Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet e shtuara në trafik do të vazhdojnë edhe gjatë javëve në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore në të gjithë rajonin e Anamoravës./rajonipress/