Enver Hoxhaj gjen mbështetje të ngrohtë në Anamoravë, fushata moderne e kandidatit të PDK-së po shtrihet në çdo cep të Kosovës
Gjilan – Anamorava i rezervoi një pritje të ngrohtë kandidatit të PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj, i cili në kuadër të fushatës së tij zgjedhore ka zhvilluar takime me qytetarë në Viti, Gjilan dhe Kamenicë. Në një atmosferë pozitive dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme, Hoxhaj ka marrë mesazhe mbështetjeje nga qytetarët e këtij rajoni, duke konfirmuar vazhdimin e një fushate që po karakterizohet nga kontakti i drejtpërdrejtë me elektoratin.
Ndryshe nga format tradicionale të komunikimit politik, Hoxhaj po zhvillon një fushatë dinamike dhe moderne, të fokusuar te takimet në terren, dëgjimi i shqetësimeve të qytetarëve dhe prezantimi i vizionit të tij për zhvillimin e vendit. Gjatë javëve të fundit, ai ka vizituar dhjetëra qytete, fshatra dhe lagje në mbarë Kosovën, duke e bërë praninë e tij të ndjeshme pothuajse në çdo cep të vendit.
Në ndalesat e tij në Viti, Gjilan dhe Kamenicë, Hoxhaj falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe respektin e treguar në çdo takim, duke theksuar se energjia që po vjen nga terreni po dëshmon një frymë të re dhe një gatishmëri për ndryshim.
“Vitia, Gjilani e Kamenica sonte treguan se fryma për ndryshim veç ka nisë. Faleminderit për mbështetjen dhe respektin në çdo takim”, ka shkruar Hoxhaj.
Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se një nga elementet që po e veçon fushatën e tij është afërsia me qytetarët dhe insistimi për të zhvilluar takime të drejtpërdrejta me elektoratin, duke dëgjuar nga afër kërkesat dhe pritjet e tyre.
Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, aktivitetet e Hoxhajt po vazhdojnë me intensitet të lartë në rajone të ndryshme të Kosovës, ndërsa Anamorava u rendit ndër ndalesat ku kandidati i PDK-së mori një nga pritjet më të ngrohta dhe më inkurajuese të kësaj fushate./rajonipress/






