Gropa e harruar në zemër të Gjilanit: Tri vite pritje dhe asnjë veprim nga Komuna
Gjilan – Në zemër të qytetit, pranë parkut qendror, një gropë e hapur prej katër vitesh vazhdon të terrorizojë qytetarët dhe vozitësit. Gropa, e krijuar nga kompania e Bajram Hasanit për instalimin e një kablloje elektrike personale, nuk është mbyllur kurrë, ndërkohë që Komuna nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ndëshkimin e kompanisë apo për riparimin e rrugës.
Banorët e lagjes dhe pronarët e bizneseve përballen çdo ditë me dëmtime të automjeteve dhe shqetësim të vazhdueshëm. “Është e pamundur të lëvizësh këtu pa u shqetësuar për makinën,” shprehen disa prej tyre, duke shtuar se shpresat për ndërhyrje nga autoritetet komunale janë minimale.
Sipas banorëve, historia e gropës nis me ish-ministrin Bajram Hasani, i cili në korrik të vitit 2022 hapi një kanal të gjatë për një kabllo energjie që kalonte përmes parkut të qytetit, duke dëmtuar edhe rrugën.
Drejtoria e Shërbimeve Publike, përkundër premtimeve për rikthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme, nuk ka ndërhyrë asnjëherë, ndërsa kompania nuk është dënuar dhe as nuk ka kryer riparimin e obliguar.
Mentor Mihovci, ish-drejtori i Shërbimeve Publike, kishte deklaruar atëherë se kompania kishte leje për punimet dhe se nuk kishte pasur mundësi të refuzonte kërkesën. Por qytetarët mbeten të pakënaqur: gropa vazhdon të shkaktojë nervozizëm, ndërprerje të qarkullimit dhe dëm ekonomik për bizneset e afërta.
Katër vjet më vonë, gropa e harruar vazhdon të qëndrojë si një simbol i neglizhencës dhe indiferencës ndaj qytetarëve, duke lënë një pyetje të hapur, kur do të marrë fund kjo situatë e papranueshme./rajonipress/

