ARKATANA

Djemtë e heronjve pretendojnë se u gjobitën për simbolin e UÇK-së: “Lirinë nuk mund ta ndëshkoni me gjoba”

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Në Kosovën e lirë, ku sakrifica e UÇK-së është themeli mbi të cilin u ndërtua shteti, ndalimi dhe gjobitja e dy djemve të heronjve për simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ngjallur reagime të forta dhe emocione të mëdha në opinionin publik. Kosovar Azemi, djali i Heroit Nijazi Azemi – Komandant Mjekrra dhe Fisnik Bislimi, djali i Heroit Rexhep Bislimi, pretendojnë se janë ndaluar dhe gjobitur pikërisht për shkak të simbolit të UÇK-së që mbanin me krenari.

Sipas reagimit të tyre publik, ata kishin kërkuar që në procesverbal të shkruhej qartë arsyeja reale e ndalimit – “simboli i UÇK-së” – por, siç thonë ata, kjo nuk është pranuar nga zyrtarët.

“Sot në Kosovën e lirë u ndaluam dhe u gjobitëm për simbolin e UÇK-së. Më e turpshmja është se nuk patën guxim ta shkruajnë të vërtetën në gjobë”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata kanë theksuar se i njëjti simbol ka kaluar pa asnjë problem në shtete të ndryshme evropiane, përfshirë Malin e Zi dhe Greqinë, ndërsa shprehen të zhgënjyer që pikërisht në Kosovë, vendin e dalë nga lufta dhe gjaku i dëshmorëve, simboli i UÇK-së trajtohet si shkelje.

Mobi Casa

“UÇK nuk hiqet me gjoba. UÇK është nder, histori dhe krenari kombëtare. E kemi paguar me gjak dhe do ta mbrojmë gjithmonë”, kanë deklaruar Kosovar Azemi dhe Fisnik Bislimi.

“Turp për ata që harrojnë se kush e solli këtë liri. UÇK nuk hiqet me gjoba. UÇK është nder, histori dhe krenari kombëtare. Ne e paguam me gjak, do ta paguajmë edhe me para!”, shprehen të ndaluarit, duke theksuar se simboli i luftës nuk mund të fshihet dhe se respekti për të është i paprekshëm.

Ky incident ringjall debatin mbi rëndësinë e kujtesës historike dhe mënyrën se si institucionet e Kosovës duhet të respektojnë trashëgiminë morale dhe simbolike të luftës për liri. Për qytetarët dhe veteranët, kjo është një kujtesë se UÇK-ja është më shumë se një simbol, është shpirti i një kombi dhe krenaria e brezave që luftuan për lirinë e tij.

Rasti ka hapur debat publik mbi trajtimin e simboleve të luftës çlirimtare dhe respektin institucional ndaj trashëgimisë së UÇK-së, e cila për shumicën e qytetarëve mbetet simbol i lirisë dhe sakrificës kombëtare./rajonipress/