KKVITI

Në Viti u ndanë certifikatat e projektit “Kosed”, fokus avancimi i cilësisë në arsim

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Viti – Në Viti është mbajtur ceremonia e ndarjes së certifikatave në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian “KosEd – Modeli Kolegial i Sigurimit të Cilësisë”, një iniciativë që synon fuqizimin e kapaciteteve profesionale në sektorin e arsimit dhe ngritjen e standardeve të cilësisë në shkolla.

Certifikatat u ndanë nga Robert Blease, i cili është ekspert i këtij projekti evropian, ndërsa aktiviteti mblodhi përfaqësues institucionalë, drejtues shkollash dhe mësimdhënës të angazhuar në procesin e implementimit të modelit të ri të sigurimit të cilësisë.

Sipas organizatorëve, projekti ka për qëllim zhvillimin profesional të drejtorëve të shkollave dhe mësimdhënësve në fushën e mbledhjes dhe analizimit të të dhënave, si dhe krijimin e një cikli reflektues për identifikimin e nevojave reale të institucioneve arsimore, me synim avancimin e cilësisë së mësimdhënies dhe forcimin e bashkëpunimit profesional brenda shkollave.

Hidromorava

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Sokol Haliti, i cili përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit për përkushtimin dhe angazhimin në realizimin e projektit, duke vlerësuar rëndësinë e investimit në arsim dhe bashkëpunimin me ekspertët ndërkombëtarë.

Ndërkaq, Arta Ajeti iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit profesional dhe implementimit të praktikave moderne në sistemin arsimor.

Nga ana tjetër, Robert Blease falënderoi Komunën e Vitisë për bashkëpunimin dhe shprehu besimin se projekti do të vazhdojë të japë rezultate konkrete në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe në fuqizimin e kulturës profesionale në shkollat e komunës./rajonipress/