UBT

Naim Aliu nga KBI në Gjilan uron Kurban Bajramin: “Sakrifica, dashuria dhe bamirësia janë themelet e besimit dhe unitetit”

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Kreu i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke theksuar rëndësinë shpirtërore, humane dhe sociale të kësaj feste të shenjtë për besimtarët myslimanë.

Në urimin drejtuar besimtarëve, Naim Aliu në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan ka vlerësuar se Kurban Bajrami përfaqëson festën më të vjetër të njerëzimit dhe simbolin më të madh të devotshmërisë, sakrificës dhe dashurisë ndaj Allahut të Madhërishëm.

“Le ta falënderojmë Allahun e Lartëmadhërishëm që na e mundësoi që edhe sivjet ta presim festën e Kurban Bajramit, festën më të vjetër të njerëzimit, festën e parë që shënon devotshmërinë e njerëzimit ndaj të Madhit Allah që nga krijimi e këndej”, thuhet në mesazhin e urimit.

Në këtë mesazh përkujtohet sakrifica e profetit Ibrahim a.s., i cili ishte i gatshëm ta flijonte birin e tij Ismailin a.s. si dëshmi e dashurisë dhe bindjes ndaj Krijuesit, ndërsa theksohet se Allahu xh.sh. nuk kishte nevojë për mish apo gjak, por për sinqeritetin dhe devotshmërinë e besimtarit.

“Krijuesi dhe Poseduesi i Gjithësisë nuk kishte nevojë as për mish dhe as për gjak dhe, kur e pa se me këtë akt flijimi po i shprehej dashuria e sinqertë, Allahu Fuqiplotë ua shpërbleu këtë sakrificë sublime”, thuhet më tej në porosi.

Në vazhdim, mesazhi i Bashkësisë Islame vë theksin te rëndësia e dashurisë, harmonisë dhe bamirësisë në jetën e besimtarit, duke kujtuar fjalët e Profetit Muhamed a.s.: “Nuk do të hyni në xhenet përderisa nuk besoni dhe nuk do të besoheni përderisa nuk do të duheni në mes vete.”

Sipas Aliut, islami i vërtetë është ai që përcjell dashuri, solidaritet dhe mirësi njerëzore, ndërsa çdo besimtar ka mision fisnik të përhapë vlera humane dhe afrimitet ndërmjet njerëzve.

Fundamenti

Një pjesë e rëndësishme e mesazhit i kushtohet edhe dimensionit social të Kurban Bajramit, ku bamirësia konsiderohet si forma më e lartë e solidaritetit ndaj familjeve në nevojë dhe institucioneve fetare e arsimore islame.

“Bamirësia zbut dhembjen e skamnorëve, të hallexhinjve dhe lehtëson funksionimin e institucioneve tona fetare e arsimore. Përmes aktit të bamirësisë shprehet dashuria jonë njerëzore dhe uniteti ynë si komunitet”, thuhet në mesazh.

Në urim është përmendur edhe rëndësia e Haxhit, duke lutur Allahun që t’ua pranojë haxhin besimtarëve nga Kosova dhe veçanërisht haxhilerëve nga Gjilani, të cilët ndodhen në vendet e shenjta islame.

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan ka bërë thirrje që kjo festë të shërbejë si moment pajtimi, afrimi dhe tejkalimi të mosmarrëveshjeve ndërmjet njerëzve.

“Nesër, kur të ktheheni prej xhamive në shtëpitë e juaja, merruni ngryk, tejkaloni të gjitha inatet dhe hasmëritë, zgjatjani dorën vëllai vëllait dhe le të mbisundojë vetëm dashuria e sinqertë ndaj njëri-tjetrit”, përfundon mesazhi i urimit.

Në fund, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan përmes Naim Aliut u ka uruar të gjithë besimtarëve festën e Kurban Bajramit, me lutjen që Allahu Mëshirëplotë t’i bekojë familjet dhe sofrat e tyre./rajonipress/