Pacolli: Pronat private nuk mund të mbahen peng, askush nuk është mbi ligjin
Prapë pengesa, prapë bllokada, prapë privim i njerëzve nga e drejta elementare për të punuar dhe për të pasur qasje në pronën e tyre ka shkruar Behgjet Pacolli.
Postimi i Pacollit:
Edhe sot po vazhdon e njëjta skenë e papranueshme: punëtorëve, inxhinierëve dhe stafit profesional po u mohohet qasja në punishtet e tyre, në pajisjet personale, në instrumentet e punës dhe në mjetet me të cilat ata sigurojnë jetesën e familjeve të tyre. Ndërkohë, Terminali vazhdon të mbahet peng në mënyrë të pajustifikueshme.
Tashmë kemi dëshmi serioze dhe shqetësuese se kompjuterë, pajisje sensitive dhe instrumente profesionale po zhduken dhe po vidhen nga grupe që kanë uzurpuar hapësirat ku ndodhen pajisjet e ndjeshme të mjeshtërve, inxhinierëve dhe punëtorëve. Këto mjete me vlerë të madhe financiare dhe profesionale kanë mbetur pa asnjë përkujdesje institucionale dhe në mëshirën e individëve që po mbajnë peng një projekt ku investitori Mabco ka investuar qindra miliona euro.
E gjithë kjo po ndodh para syve të Policisë së Shtetit, e cila tash e disa ditë, në vend që të garantojë rendin, ligjin dhe të drejtat themelore të qytetarëve, po pengon qasjen e njerëzve në vendet e tyre të punës dhe në pronën e tyre private.
Pyetja është shumë e thjeshtë dhe kërkon përgjigje të menjëhershme:
Kush i ka urdhëruar këto veprime? Kush po e mban peng këtë proces? Dhe mbi të gjitha, kujt po i shërben kjo bllokadë?
Nëse në këtë vend ende funksionon shteti ligjor dhe drejtësia, atëherë kjo situatë duhet të hetohet urgjentisht. Heshtja përballë bllokadës, uzurpimit, vjedhjes dhe mohimit të së drejtës për punë dhe pronë nuk është më vetëm neglizhencë, është përgjegjësi direkte institucionale.
Askush nuk ka të drejtë të mbajë peng investimet, pronën private dhe të ardhmen e njerëzve që jetojnë nga puna e tyre./rajonipress/




