UBT

Projekte me “erë zgjedhjesh” në Gjilan: Qytetarët nuk po i besojnë më asfaltit të minutës së fundit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Rrethi në rrugën që lidh Gjilanin me Bujanocin, në segmentin ku bashkohet fshati Malishevë me qytetin, është shndërruar në simbolin më të qartë të premtimeve të pambajtura dhe projekteve që aktivizohen vetëm kur afrohen zgjedhjet.

Që nga viti 2022 e deri më sot, kjo nyje e rëndësishme rrugore ka mbetur në pritje, mes projekteve të paralajmëruara, afateve të shtyra dhe deklaratave politike që përsëriten sa herë nis sezoni elektoral.

Banorët e kësaj ane thonë se tashmë e kanë kuptuar “lojën politike”, ku projektet infrastrukturore aktivizohen vetëm për të prodhuar efekt elektoral dhe për të mbledhur vota, ndërsa pas zgjedhjeve gjithçka rikthehet në heshtje institucionale.

Kjo rrugë, përveç rëndësisë së saj strategjike për qarkullimin drejt Bujanocit dhe Luginës, lidh çdo ditë nxënës, punëtorë, biznese dhe mërgimtarë që rikthehen në vendlindje. Megjithatë, përkundër kësaj peshe ekonomike dhe sociale, investimet konkrete kanë munguar për më shumë se një dekadë.

UBT

Në opinionin publik në Gjilan po rritet bindja se shumë nga projektet që po promovohen aktualisht nga qeveria dhe niveli lokal kanë më shumë karakter propagandistik sesa zhvillimor.

Qytetarët shprehen të zhgënjyer me ritmin e punimeve dhe me faktin se shumë investime nisin vetëm në prag të proceseve zgjedhore, duke e konsideruar këtë një përpjekje të vonshme për të rikthyer besimin e humbur.

“Gjilani nuk ka nevojë për asfalt elektoral, por për projekte serioze dhe afatgjata”, shprehen banorë të kësaj zone, të cilët kërkojnë që infrastruktura të mos përdoret si instrument politik.

Pakënaqësia qytetare, sipas njohësve të zhvillimeve politike në rajon, pritet të reflektohet edhe në zgjedhjet e ardhshme, ku qytetarët mund të ndëshkojnë me votë atë që ata e konsiderojnë mashtrim të përsëritur politik dhe neglizhencë shumëvjeçare ndaj Gjilanit dhe Anamoravës./rajonipress/