Hidromorava

Alarm për mashtrimet online në Gjilan: Policia kërkon vigjilencë ndaj faqeve dhe mesazheve të rreme

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka ngritur alarmin për rritjen e rasteve të mashtrimeve kibernetike, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve elektronike, ofertave të dyshimta dhe faqeve të rreme në internet që synojnë vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare.

Sipas Policisë, gjatë javëve të fundit janë evidentuar disa raste ku persona të dyshuar, përmes metodave të sofistikuara të manipulimit online, kanë tentuar të mashtrojnë qytetarët duke u paraqitur si institucione financiare, kompani të njohura apo platforma verifikimi. Në shumicën e rasteve, viktimave u janë kërkuar të klikojnë në vegëza të dyshimta ose të japin të dhënat e kartelave bankare dhe informacione të tjera konfidenciale.

Autoritetet policore theksojnë se krimi kibernetik po bëhet gjithnjë më i rrezikshëm dhe më i organizuar, ndërsa qytetarët mbeten objektivi kryesor i këtyre skemave mashtruese që synojnë përfitime të paligjshme financiare.

Hidromorava

Policia apelon që asnjë qytetar të mos ndajë të dhëna personale apo bankare me persona dhe platforma të panjohura, si dhe të shmangë hapjen e linkeve të dyshimta që mund të komprometojnë sigurinë financiare dhe privatësinë e tyre.

“Çdo email, mesazh apo faqe e dyshimtë duhet të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve përkatëse”, thuhet në njoftimin e Policisë së Gjilanit.

Drejtoria Rajonale e Policisë ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e krimeve kibernetike dhe ka ftuar qytetarët që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë menjëherë tek organet kompetente, me qëllim të parandalimit të dëmeve dhe identifikimit të autorëve të këtyre mashtrimeve moderne./rajonipress/