“Gjilani nuk ha më propagandë” – AAK kritikon ashpër vizitën e Kurtit dhe bilancin gjashtëvjeçar në Anamoravë
Gjilan – Vizita e kryeministrit në detyrë në Gjilan ka nxitur reagime të forta politike në Anamoravë, ku përfaqësues të opozitës kanë ngritur kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisjes aktuale, duke e akuzuar për neglizhencë, mungesë investimesh strategjike dhe propagandë politike ndaj rajonit të Gjilanit. Kryetari i AAK-së në Gjilan, Sokol Haziri, përmes një reagimi publik ka kërkuar nga qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës që në zgjedhjet e ardhshme të tregohen “të sinqertë dhe vigjilentë”, duke i cilësuar ato si moment reflektimi për atë që, sipas tij, ka ndodhur gjatë gjashtë viteve të fundit të qeverisjes aktuale.
Haziri ka theksuar se rajoni i Anamoravës ka mbetur “hambari i votave”, por pa përfituar projektet madhore infrastrukturore dhe zhvillimore që, sipas tij, i janë premtuar vazhdimisht qytetarëve.
“Është tallje të flitet për hekurudhë kur ende nuk është përfunduar autostrada strategjike e kësaj pjese”, ka deklaruar ai, duke kritikuar ashpër mungesën e realizimit të projekteve që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe lidhjen infrastrukturore të Gjilanit me pjesët tjera të Kosovës.
Në reagimin e tij, Haziri është ndalur edhe te infrastruktura sportive, duke përmendur klubet gjilanase dhe gjendjen e stadiumit të qytetit.
“Të flasësh për sportin, ndërkohë që Drita dhe Gjilani zhvillojnë derbin më të madh në Kosovë në fusha të improvizuara dhe stadiumi ende nuk ka përfunduar, është për të ardhur keq”, ka theksuar ai, duke e krahasuar projektin me stadiume të tjera në Kosovë që sipas tij janë realizuar me kosto më të ulët dhe efikasitet më të madh.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për, siç e quan ai, manipulimin e kategorive sociale përmes subvencioneve dhe ndihmave të përkohshme, duke pretenduar se rritja e çmimeve ka neutralizuar çdo efekt pozitiv për qytetarët.
Në fund të reagimit të tij, Haziri ka bërë thirrje që Gjilani të mos mbetet peng i “propagandës dhe populizmit primitiv”, por të shndërrohet në një qendër reale të zhvillimit ekonomik dhe strategjik për Kosovën Lindore dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë të intensifikimit të aktivitetit politik në terren dhe paralajmërojnë një përplasje të fortë narrativesh politike në prag të proceseve të ardhshme zgjedhore./rajonipress/


