Komiteti për Komunitete në Viti diskuton regjistrimin civil dhe çështjet me interes për komunitetet joshumicë
Viti – Komuna e Vitisë ka mbajtur mbledhjen e katërt të rregullt të Komitetit për Komunitete, e kryesuar nga z. Nenad Iliç, ku janë trajtuar tema me rëndësi për komunitetet që jetojnë në këtë komunë.
Në fillim të mbledhjes, anëtarët e komitetit shqyrtuan dhe miratuan procesverbalin nga mbledhja e mëparshme, duke vijuar më pas me diskutimet lidhur me gjendjen e regjistrimit civil për banorët e komuniteteve serbe, kroate, turke, rome dhe komuniteteve të tjera të regjistruara në territorin e Komunës së Vitisë.
Gjatë debatit u theksua rëndësia e funksionimit të barabartë institucional dhe garantimit të të drejtave administrative për të gjitha komunitetet, si pjesë e angazhimeve për përfshirje dhe bashkëjetesë ndëretnike.
Në përmbyllje të mbledhjes, anëtarët e Komitetit trajtuan edhe çështje të ndryshme që ndërlidhen me interesat dhe nevojat e komuniteteve lokale, duke ritheksuar rëndësinë e dialogut institucional dhe bashkëpunimit ndërmjet përfaqësuesve të komuniteteve dhe pushtetit lokal./rajonipress/


