Fundamenti

KPF në Viti miraton vendime me rëndësi strategjike për pronat komunale, KEDS-in dhe bashkëpunimin me Francën

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Viti – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) i Komunës së Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e katërt të rregullt, nën drejtimin e kryesuesit Bekim Azizi, ku janë shqyrtuar dhe miratuar me shumicë votash një sërë pikash me rëndësi për funksionimin institucional dhe zhvillimin komunal.

Në kuadër të mbledhjes, anëtarët e KPF-së fillimisht miratuan procesverbalin nga mbledhja e tretë, ndërsa më pas u diskutua raporti i komisionit për përgatitjen e draft-dokumentit për ndryshim-plotësim të Statutit të Komunës së Vitisë, dokument që synon harmonizimin dhe avancimin e funksionimit administrativ të komunës.

Po ashtu, në fokus të diskutimeve ishin edhe propozim-vendimet për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, përfshirë dhënien në përdorim të pronës së paluajtshme kompanisë KEDS për vendosjen e trafove elektrike në territorin e komunës, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe shërbimeve për qytetarët.

Eco Higjiena

Gjatë mbledhjes u prezantua edhe një informatë nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me organizimin e manifestimit tradicional kulturo-sportiv “Flakadani i Karadakut 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon.

Ndërkohë, jashtë rendit të ditës, anëtarët e komitetit shqyrtuan dhe mbështetën edhe propozim-vendimin për plotësimin e marrëveshjes së binjakëzimit ndërmjet Komunës së Vitisë dhe komunës franceze Saint-Julien-en-Genevois, si dhe propozimin për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake të vitit 2025 në vitin 2026.

Mbledhja u karakterizua nga diskutime mbi çështjet zhvillimore dhe menaxhimin e resurseve komunale, ndërsa vendimet e miratuara pritet të procedohen për shqyrtim në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal./rajonipress/