Ish presidentja Vjosa Osmani viziton Ujin DEA: “Suksesi ndërtohet vetëm me punë dhe përkushtim”
Gjilan – Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar kompaninë DEA, duke vlerësuar lart suksesin dhe kontributin e bizneseve të Anamoravës në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e produkteve vendore.
Gjatë vizitës në ambientet e kompanisë, Osmani theksoi se historia e suksesit të DEA është dëshmi se rezultatet e mëdha arrihen vetëm përmes punës së ndershme, profesionalizmit dhe vizionit të qartë.
“Suksesi nuk vjen kurrë rastësisht. Ai ndërtohet çdo ditë me përkushtim, punë të palodhur dhe vizion të qartë. Bizneset e Anamoravës janë dëshmi se kur puna e ndershme bashkohet me profesionalizmin, rezultatet flasin vetë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo falënderoi drejtuesit dhe stafin e kompanisë për pritjen dhe diskutimet gjatë vizitës, duke vënë theksin tek rëndësia që kanë bizneset vendore në krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e ekonomisë së Kosovës.
DEA konsiderohet një nga historitë më të suksesshme të industrisë vendore, duke u shndërruar ndër vite në një nga emrat më të njohur në tregun e ujit natyral dhe mineral në Kosovë dhe rajon. Kompania ka ndërtuar reputacion të fuqishëm falë cilësisë së produkteve, standardeve ndërkombëtare dhe zgjerimit të saj në tregjet ndërkombëtare.
Vizita e ish presidentes u pa si një mbështetje e rëndësishme për prodhuesit vendorë dhe bizneset që, përmes investimeve dhe punës së vazhdueshme, po kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e Kosovës jashtë vendit.
Përveç DEA, Osmani vizitoi edhe kompanitë ASK Foods dhe Euro Fisi, duke i cilësuar ato si shembuj të suksesit dhe punës së palodhshme të bizneseve kosovare./rajonipress/



