Fundamenti

Pacolli shpërthen për Aeroportin e Vlorës: “Veprime mafioze, primitive dhe jashtëligjore ndaj Mabco-s”

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke akuzuar Valon Ademin dhe administratorët e VIA-s për veprime të dhunshme, mafioze dhe në kundërshtim me ligjin.

Në reagimin e tij publik, Pacolli deklaron se veprimet e ndërmarra ndaj kompanisë Mabco dhe punëtorëve të saj “nuk kanë vend në një shtet të së drejtës”, ndërsa akuzon edhe policinë për ndërhyrje në mbështetje të padrejtësisë.

Sipas tij, “interferimi i policisë në mbështetje të padrejtësisë është jashtëligjor, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën dhe cenon rëndë të drejtat njerëzore”.

Pacolli pretendon se veprimet e Valon Ademit, Vegim Hoxhës dhe Bujar Ejupit po tentohen të justifikohen përmes një kontrate që ai e cilëson jolegale dhe të denoncuar nga Mabco në Prokurorinë Penale të Tiranës më 8 janar 2025.

Ai thotë se kontrata është nënshkruar nga Valon Ademi dhe Valon Lluka pa dijeninë dhe autorizimin e Mabco-s, ndërsa shton se dokumentet janë post-datuar në mënyrë të paligjshme me data të vitit 2022.

FIDANISHTJA

Sipas reagimit, Mabco është njoftuar për ekzistencën e këtyre kontratave vetëm më 26 shtator 2025 dhe, pas analizës juridike, i ka denoncuar ato në organet e drejtësisë në Shqipëri.

Pacolli pretendon se kontratat e kontestuara kanë pasur për qëllim:

mashtrimin ndaj bankave për përfitim më të madh kredish,
fryrjen artificiale të investimeve për përfitime nga TVSH-ja,
sigurimin e garancive më të mëdha nga shteti për frekuencën e pasagjerëve,
si dhe dëmtimin financiar të Mabco-s përmes rritjes artificiale të kostove të kontratave.

Në fund të reagimit, ai u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe organeve të rendit që të mos bien, siç shprehet ai, “pre e narativës dhe mashtrimeve ilegale”, por të zbatojnë vendimet gjyqësore dhe të lejojnë hyrjen e punëtorëve dhe nënkontraktorëve të Mabco-s në kantierin e aeroportit.

Pacolli paralajmëron se çdo pengim i mëtejmë ndaj punëtorëve dhe kompanisë përbën cenim të rëndë të të drejtave të njeriut, të drejtës së pronës dhe të drejtave të punës sipas ligjeve në fuqi./rajonipress/