Hidromorava

Nëntë vjet pa Ganimet Klaiqin, gazetarin që jetoi për fjalën, të vërtetën dhe njerëzinë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Ka njerëz që largohen nga kjo botë, por mbesin përgjithmonë në kujtesën e kohës. I tillë ishte gazetari Ganimet Klaiqi, i cili para nëntë vitesh, më 15 maj 2017, u nda fizikisht nga jeta, pas një beteje të vështirë me sëmundjen, por kurrë nuk u dorëzua shpirtërisht. Ai luftoi deri në fund me optimizmin që e karakterizonte dhe me shpresën se çdo sfidë mund të mposhtej me vullnet, dashuri për jetën dhe besim te njerëzit.

Edhe sot, pas nëntë vitesh, emri i Ganimet Klaiqit vazhdon të përmendet me respekt e mall në mesin e kolegëve, studentëve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën nga afër. Ai nuk ishte vetëm gazetar. Ishte zë i së vërtetës, njeri i fjalës së matur, profesionist i rrallë dhe shpirt i bardhë që dinte të sillte qetësi edhe në momentet më të vështira.

Ganimeti e deshi gazetarinë me pasion të jashtëzakonshëm. Për të, profesioni nuk ishte vetëm punë, por mision. Ai sakrifikoi shumë për ta mbrojtur dinjitetin e gazetarit dhe për të lënë gjurmë në historinë e medias kosovare. Punonte me përkushtim të admirueshëm, me zell e ndershmëri, duke mos kursyer asnjëherë energjinë dhe dijen e tij.

Edhe në ditët më të rënda të sëmundjes, ai nuk reshti së menduari për kolegët, për studentët dhe për gazetarinë që e konsideronte pjesë të shpirtit të tij. Ishte njeri i komunikimit të sinqertë, i muhabeteve të qeta, i respektit njerëzor dhe i urtësisë që e dallonte nga të tjerët. Fjalëpak, por me peshë në çdo fjalë që thoshte.

ARKATANA

Për kolegët mbeti bashkëpunëtor i rrallë dhe mik besnik. Për studentët në UBT ishte profesor i dashur dhe frymëzim profesional, ndërsa për familjen mbeti shtyllë e fortë dhe kryefamiljar shembullor.

Sot, në përvjetorin e nëntë të ndarjes së tij, kujtimi për Ganimet Klaiqin mbetet i gjallë, ashtu siç mbeten të pavdekshme veprat dhe njerëzia e njerëzve që jetuan me ndershmëri. Ai iku herët, por la pas një emër që vazhdon të flasë me gjuhën e respektit, profesionalizmit dhe humanizmit.

Në heshtjen e kësaj dite përkujtimore, kolegët dhe miqtë e kujtojnë si njeriun që i dha kuptim fjalës së mirë dhe gazetarisë së ndershme. Ganimet Klaiqi mbetet një nga figurat më të respektuara të medias kosovare, një emër që koha nuk do ta zbehë kurrë./rajonipress/