Policia në Gjilan mban ligjërata vetëdijesuese për sigurinë në komunikacion me nxënësit
Gjilan – Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Sektoriale dhe Komunitet e Stacionit Policor në Gjilan, ka zhvilluar një aktivitet vetëdijesues me temën “Siguria në Komunikacion” me nxënësit e klasave I–V të shkollave fillore Shkolla Fillore ‘Bajram Curri’ dhe Shkolla Fillore ‘Agim Ramadani’.
Gjatë ligjëratës, nxënësit janë informuar mbi rregullat bazë të trafikut, rëndësinë e respektimit të shenjave të komunikacionit dhe sjelljen e sigurt në rrugë. Aktiviteti është shoqëruar edhe me ushtrime praktike, ku fëmijët, së bashku me zyrtarët policorë, kanë praktikuar mënyrën e duhur të kalimit të rrugës dhe rregullat kryesore për këmbësorët në trafik.
Sipas policisë, ky aktivitet kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes tek nxënësit për sigurinë në komunikacion dhe kujdesin e shtuar në trafik, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe krijimin e një kulture më të sigurt në komunikacion./rajonipress/


