ARKATANA

Kriza në LDK-në e Gjilanit: A po shihet Vjosa Osmani si “shpëtimi politik” i degës?

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan po përballet me një nga periudhat më sfiduese politike të viteve të fundit, mes pakënaqësive të brendshme, largimeve të aktivistëve dhe kritikave ndaj mënyrës së udhëheqjes së degës. Në prag të zhvillimeve të reja politike dhe zgjedhjeve të ardhshme, brenda strukturave të kësaj partie po shtohen zërat që kërkojnë reformim të thellë dhe rikthim të besimit tek baza.

Sipas burimeve brenda degës së LDK-së në Gjilan, ekziston një pakënaqësi e madhe tek aktivistët e vjetër dhe gjeneratat e reja, të cilët konsiderojnë se për vite me radhë nuk janë krijuar hapësira të mjaftueshme për avancim politik dhe përfshirje meritore në strukturat drejtuese.

Në këtë klimë të tensionuar politike, emri i presidentes Vjosa Osmani po përmendet nga një pjesë e aktivistëve si figurë që mund të ndikojë në rikthimin e energjisë dhe mobilizimit politik në elektoratin tradicional të LDK-së në Gjilan.

Sipas disa anëtarëve të kryesisë lokale, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, rikthimi i Osmanit në skenën politike po shihet si mundësi për të rikthyer frymën mobilizuese tek anëtarësia e zhgënjyer.

“Ka ardhur momenti që dega të reflektojë seriozisht. Aktivisti i devotshëm është lënë anash për vite të tëra, ndërsa vendimmarrja ka mbetur në duar të grupeve të caktuara”, kanë deklaruar disa nga zërat kritikë brenda partisë.

Pakënaqësi, largime dhe kërkesa për reforma brenda strukturës së LDK-së në Gjilan

Eco Higjiena

Në qendër të kritikave vazhdon të mbetet edhe roli i Lutfi Haziri, për të cilin një pjesë e aktivistëve vlerësojnë se duhet të ketë ndryshim në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të degës. Sipas tyre, mbajtja e disa funksioneve politike njëkohësisht ka ndikuar në dobësimin e komunikimit me bazën dhe në stagnimin e strukturave lokale.

Një pjesë e aktivistëve të LDK-së në Gjilan kanë shprehur kritika të hapura ndaj mënyrës së organizimit dhe funksionimit të degës, duke vlerësuar se përqendrimi i disa funksioneve politike tek Lutfi Haziri ka ndikuar në dobësimin e aktivitetit në terren.

Sipas tyre, fakti që Haziri ushtron njëkohësisht funksionin e deputetit, nënkryetarit të LDK-së në nivel qendror dhe kryetarit të degës në Gjilan, ka krijuar mungesë të theksuar të prezencës në bazë dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me strukturat lokale. “Degës i mungon dinamika dhe angazhimi i vazhdueshëm në terren, prandaj po përballemi me stagnim dhe humbje të energjisë politike”, kanë deklaruar disa aktivistë në kushte anonimiteti.

“LDK-ja në Gjilan ka nevojë për energji të re, përfshirje të të rinjve dhe rikthim të frymës demokratike që dikur e karakterizonte këtë degë”, shprehen aktivistët.

Pavarësisht krizës së brendshme, njohës të zhvillimeve politike në Gjilan vlerësojnë se LDK-ja vazhdon të mbetet një nga subjektet më të rëndësishme politike në rajon, por theksojnë se reforma e brendshme dhe bashkimi i strukturave janë të domosdoshme për rikthimin e fuqisë elektorale.

Nëse do të ketë ndryshime konkrete në udhëheqje dhe organizim, apo nëse pakënaqësitë do të vazhdojnë të thellohen, mbetet të shihet në muajt në vazhdim, ndërsa zgjedhjet e ardhshme konsiderohen një test i rëndësishëm për të ardhmen politike të LDK-së në Gjilan./rajonipress/