Opozita në Gjilan drejt apatisë politike, mungesa e organizimit dhe e vizionit po e zbeh garën elektorale
Gjilan – Subjektet opozitare në Gjilan po përballen me një situatë gjithnjë e më të vështirë politike, ndërsa qytetarët dhe vetë aktivistët e tyre po shprehin hapur pakënaqësi për mungesën e energjisë, organizimit dhe vizionit politik në terren. PDK, LDK dhe AAK, sipas vlerësimeve të shumë qytetarëve, po hyjnë në një periudhë të rëndësishme politike pa mobilizim serioz dhe pa një strategji të qartë përballë pushtetit aktual.
Në qarqet politike lokale po flitet gjithnjë e më shumë se opozita në Gjilan po vuan jo vetëm nga mungesa e organizimit, por edhe nga problemet financiare dhe menaxhimi joefikas i burimeve partiake.
Aktivistë të ndryshëm shprehen se mungesa e buxhetit po përdoret si arsyetim për mosaktivizim në terren, ndërsa ka edhe zëra kritikë që pretendojnë se fondet ekzistuese po ruhen apo keqpërdoren për interesa të ngushta partiake, duke anashkaluar edhe bashkëpunimin me mediet lokale.
Sipas këtyre kritikave, opozita ka humbur komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarin dhe po dështon të krijojë frymë mobilizuese në prag të zhvillimeve të reja politike. “Nuk mund të kërkosh besimin e qytetarit pa qenë prezent në terren, pa debat publik dhe pa organizim real politik. Fitorja nuk vjen vetvetiu”, shprehen disa aktivistë të zhgënjyer opozitarë.
Në anën tjetër, sipas burimeve dhe perceptimeve që po qarkullojnë në terren politik, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka nisur mobilizimin e hershëm të strukturave të saj, duke mbështetur aktivistët më besnikë dhe duke forcuar organizimin partiak në terren. Kjo, sipas njohësve të zhvillimeve politike, po krijon një epërsi të dukshme të pushtetit ndaj një opozite që po shihet e lodhur dhe pa ritëm politik.
Qytetarët e Gjilanit thonë se nëse opozita nuk sjell figura më aktive, ide konkrete dhe një frymë të re organizative, rezultati zgjedhor mund të mbetet i pandryshuar. Sipas tyre, mungesa e koordinimit dhe heshtja politike po i japin avantazh të plotë pushtetit aktual.
Analistët lokalë vlerësojnë se opozita në Gjilan ndodhet përballë një momenti kritik, ku ose do të reflektojë dhe reformohet seriozisht, ose rrezikon të futet në zgjedhje me një elektorat të demotivuar dhe me një strukturë të pafuqishme përballë makinerisë politike të pushtetit.
Në opinionin publik po shtohet bindja se opozita në Gjilan po vepron pa strategji konkrete, pa organizim funksional dhe pa praninë e nevojshme në terren, duke krijuar përshtypjen se gara politike është nisur me mungesë motivi dhe energjie politike.
Kritikët vlerësojnë se partitë opozitare nuk kanë arritur ende të ndërtojnë një frymë mobilizuese që do të mund të kthente besimin e elektoratit të zhgënjyer./rajonipress/


