Haliti në “IFAT Munich 2026” – Vitia synon modernizimin e shërbimeve mjedisore përmes përvojave ndërkombëtare
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, po merr pjesë në panairin ndërkombëtar IFAT Munich 2026, i cili po mbahet në Munich të Germany nga 4 deri më 7 maj 2026. Ky panair konsiderohet ndër ngjarjet më të rëndësishme globale në fushën e mbrojtjes së mjedisit, menaxhimit të mbeturinave, trajtimit të ujërave dhe zhvillimit të teknologjive moderne për shërbimet publike.
Gjatë qëndrimit në këtë aktivitet, Haliti është duke u njohur nga afër me makineritë dhe zgjidhjet më bashkëkohore për menaxhimin e mbeturinave, pastrimin urban, trajtimin e ujërave të zeza, proceset e riciklimit dhe avancimin e infrastrukturës mjedisore.
Pjesëmarrja në këtë panair po realizohet në bashkëpunim me GIZ, për të cilin Haliti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve të komunave, veçanërisht në fushën e shërbimeve publike dhe zhvillimit lokal.
Gjatë vizitës në Munich, ai pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve dhe kompanive ndërkombëtare, me synim krijimin e partneriteteve të reja dhe shkëmbimin e përvojave në funksion të përmirësimit të shërbimeve publike dhe mbrojtjes së mjedisit në Komunën e Vitisë./rajonipress/


