Fundamenti

5 Maji në Viti: ditë nderimi, kujtese dhe aktivitetesh në përkujtim të dëshmorëve

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Viti – Në një atmosferë solemne dhe të mbushur me emocione, Viti ka shënuar 5 Majin – Ditën e Dëshmorëve, duke rikujtuar me nderim të thellë sakrificën e bijve dhe bijave që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Aktivitetet qendrore nisën me mbajtjen e një seance solemne nga Kuvendi Komunal, ku përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile vlerësuan kontributin historik të dëshmorëve. Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bekim Azizi, në fjalën e tij theksoi se sakrifica për liri mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e vendit.

Ndërkaq, zëvendëskryetari Hasan Aliu dhe përfaqësuesi i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhevgjet Ademi, rikujtuan me respekt të veçantë kontributin e dëshmorëve dhe qëndresën e familjeve të tyre.

Pas seancës, u zhvilluan homazhe dhe u vendosën kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve, ku qytetarë të shumtë u bashkuan për të nderuar kujtimin e tyre.

FIDANISHTJA

Shënimi i kësaj dite nuk u kufizua vetëm në ceremonitë zyrtare. Aktivitetet kishin filluar që një ditë më parë me Ditën e Shkollës “Jonuz Zejnullahu” dhe orën letrare “Pranvera Poetike në Viti – Hoxha i bunkerëve”, duke sjellë një dimension kulturor dhe edukativ në këtë përvjetor.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme dhe në vijim, agjenda përfshin një sërë aktivitetesh të tjera, si shënimi i Ditës së Shkollës “Dëshmorët e Vitisë”, promovimi i librit “Yjet e jetës” të autorit Murtez Mustafa, si dhe organizime sportive.

Manifestimet përkujtimore do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me finalen e turnirit memorial “Njazi Rexhepi” në Sllatinë të Epërme dhe aktivitetet në Shkollën “Safet Rexhepi” në Zhiti, duke e shndërruar këtë përvjetor në një mozaik kujtese, nderimi dhe angazhimi qytetar./rajonipress/