Haliti kritikon ashpër Ministrinë e Bujqësisë: “Subvencionet nuk reflektojnë nevojat reale të fermerëve”
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, njëherësh agronom me njohuri të thella në sektorin bujqësor, ka reaguar fuqishëm ndaj deklaratave të Ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, lidhur me Kornizën Buxhetore për vitin 2026.
Në një reagim të qartë dhe kritik, Haliti vlerëson se pretendimet për “mbështetje rekord” nuk përputhen me realitetin në terren dhe nuk adresojnë nevojat konkrete të fermerëve kosovarë. “Kjo nuk është mbështetje zhvillimore. Kjo është një qasje që nuk e njeh bujqësinë reale dhe nuk i përgjigjet nevojave konkrete të fermerëve,” deklaron ai.
Një nga problemet kryesore që Haliti thekson është mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ai nënvizon se Ministria e Bujqësisë nuk ka koordinim të mjaftueshëm me kryetarët e komunave dhe drejtoritë përkatëse të bujqësisë. “Politikat nuk mund të hartohen në tavolinë pa përfshirë nivelin lokal. Pa bashkëpunim me komunat, çdo strategji mbetet e shkëputur nga realiteti,” shton ai.
Haliti kritikon gjithashtu keqpërdorimet në sistemin e subvencioneve, duke theksuar se në disa raste fondet shfrytëzohen për qëllime personale, duke krijuar ferma formale që më pas shiten dhe mjetet kthehen në prona dhe vetura për përfitime familjare. “Kjo nuk është zhvillim, kjo është keqmenaxhim,” thekson ai.
Gjendja reale e prodhimit vendor sipas kryetarit është shqetësuese: Kosova ende nuk arrin të sigurojë nevojat bazike për vezë, mish pule dhe drithëra të bardha, çka, sipas Halitit, reflekton një dështim serioz të politikave bujqësore.
Ai kritikon gjithashtu mungesën e reformave strukturore, përfshirë privatizimin dhe funksionalizimin e agrokomplekseve, duke vlerësuar se sektori mbetet “as mish, as peshk”, larg modernizimit dhe zhvillimit rural të qëndrueshëm.
Në përmbyllje, Haliti u bën thirrje institucioneve për një qasje të re dhe përgjegjësi të vërtetë: “Fermerët nuk kanë nevojë për deklarata, por për politika konkrete që i ndihmojnë të prodhojnë, të rriten dhe të qëndrojnë në treg. Pa orientim të qartë drejt prodhimit vendor, Kosova do të mbetet e varur nga importi.”
Ky reagim i kryetarit Haliti vjen në një moment kur diskutimet mbi zhvillimin e bujqësisë dhe përdorimin efektiv të subvencioneve janë në qendër të vëmendjes publike, duke reflektuar shqetësimet reale të fermerëve dhe sfidat strukturore që kërkojnë ndërhyrje urgjente./rajonipress/


