UBT

Rrezik për kalimtarët në Ramjan: Trotuaret e dëmtuara kërkojnë ndërhyrje urgjente

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Viti – Dëmtimi i trotuareve po vazhdon të mbetet një problem shqetësues për sigurinë e qytetarëve në Komunën e Vitisë. Së fundmi, shqetësime të tilla janë ngritur për gjendjen e trotuarit në fshatin Ramjan, ku infrastruktura e dëmtuar po rrezikon drejtpërdrejt kalimtarët, në veçanti nxënësit që e frekuentojnë çdo ditë këtë rrugë për të shkuar në shkollë.

Sipas reagimit të EVSB-së, trotuari në këtë zonë është dëmtuar si pasojë e punimeve të mëhershme dhe vendosjes së gypave nën të, duke lënë pas sipërfaqe të deformuara, mungesë të kubëzave dhe gropa të hapura.

Këto dëmtime e bëjnë qarkullimin të pasigurt dhe rrisin rrezikun për rrëzime e lëndime fizike, sidomos për kategoritë më të ndjeshme si fëmijët dhe të moshuarit.

Uji Dea

Përveç rrezikut të drejtpërdrejtë për shëndetin, trotuaret e dëmtuara po shkaktojnë edhe vështirësi në lëvizje, duke e bërë ecjen të pasigurt dhe jo funksionale për qytetarët. Sipas EVSB-së, shkaqet kryesore të kësaj gjendjeje lidhen me cilësinë e dobët të punimeve, mungesën e mirëmbajtjes dhe ndërhyrjet e papërgjegjshme nga kompanitë që nuk i rikthejnë trotuaret në gjendjen e mëparshme.

Koordinatori i EVSB-së për Komunën e Vitisë, Imri Emërllahu, ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse, duke theksuar nevojën për garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e përkeqësimit të mëtejmë të situatës./rajonipress/