Kuvendi Komunal i Vitisë shqyrton pasqyrat financiare për tremujorin e parë 2026
Viti – Kuvendi Komunal i Vitisë, nën kryesimin e Bekim Azizit, ka mbajtur mbledhjen e pestë të rregullt, ku ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishte shqyrtimi i pasqyrave financiare të buxhetit komunal për periudhën janar–mars 2026.
Në hapje të seancës, kryesuesi Azizi njoftoi të pranishmit lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të miratuara më herët nga Kuvendi. Më pas, Berat Zuka nga Drejtoria e Financave prezantoi raportin financiar, sipas të cilit të hyrat vetanake për këtë periudhë arrijnë në 184,510.38 euro, ndërsa shkalla e inkasimit në raport me planifikimin vjetor është 14.25 për qind.
Sipas raportit, buxheti i alokuar për tremujorin e parë nga granti qeveritar, të hyrat vetanake dhe donacionet kap vlerën prej 7,099,162.97 euro, ndërsa shpenzimet kanë arritur në 6,598,950.00 euro, me një shkallë ekzekutimi prej 92.95 për qind.
Gjatë kësaj mbledhjeje, këshilltarët komunalë shqyrtuan dhe miratuan me shumicë votash disa vendime të rëndësishme, përfshirë nisjen e procedurave për themelimin e një ndërmarrjeje publike lokale, ndarjen e parcelave kadastrale, rialokimin e mjeteve buxhetore dhe ndryshime në kategorinë e investimeve kapitale.
Po ashtu, si pikë shtesë e rendit të ditës u miratua propozimi për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme komunale për KEDS, me qëllim vendosjen e trafove elektrike.
Në fund të seancës, jashtë rendit të ditës, këshilltarët ngritën edhe shqetësime dhe çështje të tjera me interes për qytetarët e komunës./rajonipress/


