Del nga shtypi libri i dytë publicistik i Nexhmedin Saqipit: “Lugina e Preshevës, midis ankthit dhe shpresës”
Ka dalë nga shtypi libri me opinione “Lugina e Preshevës, midis ankthit dhe shpresës”, i autorit Nexhmedin Saqipi, duke shënuar kështu botimin e tij të dytë në fushën e publicistikës, pas veprës së parë kushtuar po kësaj treve.
Ky botim përmbledh një sërë shkrimesh dhe analizash të publikuara ndër vite, ku autori trajton në mënyrë të thelluar sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës. Përmes një qasjeje kritike dhe reflektuese, Saqipi sjell në fokus çështje të ndjeshme shoqërore dhe politike, duke ndërtuar një narrativë që lëviz mes ankthit dhe shpresës për të ardhmen.
Në përmbajtjen e librit ndërthuren tema si fenomeni i zbrazjes së heshtur të trevave shqiptare, ndjenja e sakrificës, sfidat identitare dhe qasjet kontradiktore politike. Po ashtu, autori trajton edhe zhvillimet rajonale, përfshirë projektin e “Ballkanit të Hapur”, duke ofruar një analizë kritike mbi ndikimin e tij në proceset integruese dhe realitetin lokal.
Libri përfshin gjithashtu intervista, refleksione dhe prononcime të autorit, të cilat kontribuojnë në pasurimin e debatit publik dhe nxisin diskutim mbi çështje me interes të gjerë kombëtar. Botimi i kësaj vepre vjen si një kontribut i rëndësishëm në publicistikën shqiptare dhe si një thirrje për vëmendje më të madhe ndaj realitetit të Luginës së Preshevës./rajonipress/


